‘Dosja Berisha, politike’/ Bushkolaj: SPAK, drapër kundër opozitës, në koalicion parazgjedhor me partinë në pushtet

Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në TASK FORCE në SYRI TV me Sonila Meçon, foli për dosjen ‘Partizani’ duke e quajtur një dosje kryekëput politike, që nga mënyra se si nisi dhe nga mënyra se si veprohet.

Sipas gazetarit, në 100 faqet e para të dosjes, kishte shumë formulime mediatike ose tituj të gatshëm ose tituj me regji dhe jep të gjithë idenë se çfarë ka ndodhur dhe se si duhet të orientohet opinioni publik.

Gjithashtu Bushkolaj theksoi se ‘është e qartë që drejtësia e re po përdoret si një drapër kundër opozitës’.

‘Në perceptimin tim SPAK ka bërë koalicion parazgjedhor me partinë në pushtet’, u shpreh gazetari.

Intervista në studio:

Bushkolaj: Për dosjen Berisha është e pamundur të bëhet një gjykim mbi fakte juridike kur është një dosje kryekëput politike që nga mënyra se si nisi dhe nga mënyra se si veprohet.

Lexova pjesën më të madhe të dosjes dhe për hirë të së vërtetës mu duk si një dosje që kishte kaluar në një zyrë shtypi. Kishte shumë formulime mediatike ose tituj të gatshëm ose tituj me regji nga mënyra se si ishte formuluar dosja dhe në 100 faqet e para të jep të gjithë idenë se çfarë ka ndodhur dhe se si duhet të orientohet opinioni publik.

Pretendohet të thuhet se i vetmi njeri që ka përfituar në këtë vend nga kthimi i pronave sipas SPAK është Jamarbër Malltezi dhe një grup i ngushtë njerëzish. Pra është një tezë e mirëfilltë politike që synonte edhe një goditje të kampit tjetër politik.

 

Është e qartë që drejtësia e re po përdoret si një drapër kundër opozitës. Në perceptimin tim SPAK ka bërë koalicion parazgjedhor me partinë në pushtet.