SYRI TV/ Burg përjetë për Roland Pulën, dyshohet për vrasjen e 2 vëllezërve

Burg përjetë kërkon Prokuroria e Tiranës për Roland Pulën autorin e dyshuar të vrasjes së vëllezërve Gramoz e Xhentil Bardhi në fshatin Gramëz të Krujës. Gjykimi i tij ka vijuar në mungesë, ndërsa ngjarja e 2020 dyshohet se e ka zanafillën që në vitin 2005. Pula rezulton një eksponent me skedë të pasur kriminale edhe për ngjarje të tjera.

SYRI TV

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin përjetë të Roland Pulës, i gjykuar në mungesë, si autor i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve Gramoz e Xhentil Bardhi. Pula rezulton të jetë element me precedent të mëparshëm penal kryesisht në vjedhje dhe kultivim të lëndëve narkotike. Dy vëllezërit u qëlluan me kallashnikov, ndërsa ndërruan jetë rrugës për në spital më 2020 në fshatin Gramëz të Krujës.

Organi i akuzës përmes prokurorit Enklid Gjini pretendon se ka dokumentuar përfshirjen e Pulës në masakër, duke kërkuar në gjykatën penale të Tiranës dënimin maksimal. Ngjarja e 4 viteve më parë ndodhi pas sherrit që nisi në lokalin e fshatit, autori u zuri pritë pranë shtëpisë në errësirë duke i qëlluar me breshëri dy vëllezërit.

Në atë kohë u raportua se konflikti ishte vetëm vijim i përplasjeve që e kanë zanafillën në 19 gusht 2005 kur vëllai i Gramoz dhe Xhontil Bardhit, Eltoni plagosi me thikë Besnik Pulën. Roland Pula ishte arrestuar në 2008, ndërsa në 29 tetor 2010 u dënua me 6 muaj burgim për akuzën e “kanosjes” me armë, 4 muaj burgim për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe 2 vjet burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.

Në bashkim të këtyre tre dënimeve, Roland Pula është dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.