SYRI TV/ Tërheqin aktet hetimore për dosjen ‘Partizani’, SPAK pritet të kalojë dosjen për gjykim

Avokatët e liderit të opozitës Sali Berisha e dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi kanë firmosur këtë të mërkurë në SPAK mbylljen e hetimeve për dosjen “Partizani”. Avokatët tërhoqën aktet ndërsa mbeten 10 ditë kohë për të bërë prapësimet, para se dosja të kalojë në gjykatës me kërkesën e çeljes së gjykimit. Pas këtyre zhvillimeve ka reaguar Jamarbër Malltezi i cili radhiti 7 fakte që provojnë sipas tij që SPAK nuk ka guxim të hetojë Edi Ramën .

SYRI TV

Këtë të mërkurë avokatët e liderit të opozitës Sali Berisha e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, firmosën dosjen e mbylljes së hetimeve nga SPAK lidhur me çështjen “Partizani”. 

Gjatë ditës firmosën edhe avokatët e personave të tjerë që u hetuan për këtë dosje shumica prej të cilëve përmes prokurës që delegonte avokatët. Mbrojtësit ligjor të Berishës dhe Malltezit, përkatësisht Klodiana Gjyzari e Klodian Skënderaj, në dalje të prokurorisë, nuk komentuan për mediat. 

Të hënën e kaluar Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për këtë dosje ndërsa thirri personat që u hetuan që të paraqiteshin për të firmosur përfundimin e hetimeve. Me këtë veprim, pritet që SPAK të zbres në gjykatë kërkesën e nisjes së gjykimit, ndërsa lideri i opozitës ka kundërshtuar me vendosmëri hetimet dhe veprimet e prokurorëve Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai si dhe të gjyqtares së posaçme Irena Gjoka, duke i konsideruar si politike, të dirigjuara nga Edi Rama dhe në papajtueshmëri me ligjin e Kushtetutën, pretendime të cilat kanë mbërritur deri në Gjykatën Kushtetuese.

Pas zhvillimeve të kësaj të mërkure në SPAK, ka reaguar Jamarbër Malltezi, I cili përmes një statusi në rrjetet sociale, ka radhitur 7 pika mbi të cilat Prokuroria sipas tij nuk guxon të hetojë Edi Ramën.

“Prokurorët politikë Kraja e Millonai janë bërë lecka ku fshin këpucët Edi Rama. Njoftojnë mbylljen e hetimeve duke refuzuar të pyesin, jo më të hetojnë Edi Ramën që ka firmosur.

SPAK nuk guxon të hetojë Edi Ramën për:

-Inventarin e objekteve të ‘zëna forcërisht’.

-Ndryshimin e destinacionit në vitin 2006.

-Lejen e sheshit të ndërtimit në vitin 2007.

-Zonimin funksional me vendim të KRRT numër 238 të datës 27.12.2008, që e ktheu zonën për ‘zhvillim me parametra të lartë urbanë’.

-Refuzimin e zbardhjes së lejes së ndërtimit.

-Keqpërdorimin e INU në shkelje të vendimit të gjykatës.

-Dëmin financiar mbi 320 mijë euro nga shpërdorimi i detyrës sipas vendimit të formës së prerë nga gjykata.

Pas 4 vitesh hetime për liderin e opozitës Sali Berisha dhe 267 ditë në arrest shtëpie, SPAK ende nuk ka publikuar asnjë provë për akuzat e ngritura prej saj. Berisha është shprehur se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore dhe se privatizimi i klubit Partizani është bërë me firmë të Edi Ramës.

Lideri demokrat ka akuzuar SPAK se ka falsifikuar faktet në dosjen Partizani dhe fsheh se kanë qenë ministrat socialistë ata që kanë iniciuar duke propozuar idenë për tjetërsimin e klubit Partizani.