‘E ardhmja e Ukrainës është në NATO’, thotë Stoltenberg pas takimit me Zelenskyn

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Ne pajtohemi që e ardhmja e Ukrainës është në NATO. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta afruar atë ditë dhe për të ndihmuar Ukrainën të mbizotërojë në luftën e saj për liri”, thuhet në një mesazh të publikuar në X nga vetë Stoltenberg.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi në kanalin e tij Telegram se, në takim ai falënderoi Stoltenberg për mbështetjen e tij ndaj Ukrainës gjatë mandatit të tij si Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës, si dhe për përpjekjet për të bashkuar botën në të ndihmojë Kievin dhe të forcojë ushtrinë e Ukrainës, transmeton Klankosova.tv.

Presidenti ukrainas deklaroi se në takim u diskutua edhe për faktin që Ukraina duhet të marrë ftesën për anëtarësim në NATO sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe rëndësinë e zbatimit në kohë të të gjitha marrëveshjeve nga samiti i Aleancës i mbajtur në korrik në Uashington, që vendet anëtare të përmbushin detyrimet e tyre në lidhje me ndarjen e 40 miliardë eurove për vitin e ardhshëm.