DOKUMENTET/ Si u ndërhy ‘me urdhër’ në konkursin e gradave në Policinë e Shtetit

Një urdhër i dytë i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që doli, pasi konkursi për gradat në polici kishte nisur, ngre dyshime të forta se formula e re i mundësoi Komisionit të Gradave që të favorizonte të preferuarit dhe që të penalizonte ata që e meritonin.

Agron S., një oficer karriere, i cili mbante mbi supe rreth 30 vite punë, e priti lajmin për hapjen e procesit të dhënies së gradave si një nga ngjarjet më kulminante të jetës.

“Ishte shfaqur, jo vetëm mundësia për karrierë, por edhe për një shtesë të përfillshme të pagës, që e lusnin aq shumë nevojat tona, familjare”, – tha ai për INA Median.

Procesi i gradave në polici ishte bllokuar për 5 vite me radhë, nga nëntori i vitit 2018, ndaj njoftimi i ish-ministrit, Taulant Balla, për hapjen e konkurseve për fitimin e gradës, më 26 nëntor 2023, zgjoi shpresat për një numër të konsiderueshëm oficerësh të karrierës.

I bindur se do të përfitonte, Agroni nisi të përgatiste dosjen e ecurisë së punës në 3 dekada, pasi aplikimi duhej dorëzuar brenda një muaji.

Ai e dorëzoi dosjen të plotë brenda afatit të lajmëruar nga urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, datë 16.11.2023, që përcaktonte 572 vende vakante sipas gradave, mes të cilëve 12 për “Drejtues i Parë”, 40 për “Drejtues”, 200 për “Kryekomisar” dhe 320 për “Komisar”.

Urdhri kishte detajuar edhe metodologjinë e vlerësimit, sipas një skeme, ku vlerësimi administrativ kuotohej deri në 20 pikë, ai i performancës, deri në 40 pikë, testit me shkrim e ushtrime, deri në 20 pikë dhe në fund intervista me gojë, 20 pikë.

Verifikimi i dokumentacionit për plotësimin e kritereve të çdo aplikanti duhet të kryhej brenda datës 24 dhjetor 2023.

Urdhri i parë për konkursin e dhënies së gradave

Por, njoftimi, që do konfirmonte se Agroni i plotësonte kriteret për të vijuar me procesin, po vononte, duke rritur shqetësimin tek ai.

Kur aplikimet u mbyllën dhe konkursi ishte në vazhdim e sipër, krejt papritur del një urdhër i dytë, zyrtar, që ndryshoi kriteret. Skema e re e vlerësimit i shtonte pikë intervistës me gojë dhe i zbriste pikë performancës dhe dosjes administrative.

Bëhet fjalë për urdhrin nr. 270, të datës 19 shkurt 2024, të ish-Drejtorit të Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, që doli dy muaj pas kalimit të datës limit për publikimin e rezultateve të konkursit, që ndryshoi rregullat e lojës, duke urdhëruar metodologji të ndryshme vlerësimi.

Sipas skemës së re, vlerësimi administrativ, nga 20 pikë, do të kishte vetëm 10 pikë, edhe vlerësimit profesional i ulej pesha, duke i lënë vetëm 30 pikë, ndërsa testimit me shkrim dhe intervistës me gojë i rritej pesha, duke i dhënë secilit nga 30 pikë, pra 60 në total.

Një skemë e tillë ndërhynte në rezultatet e kualifikimit paraprak të konkursit, pasi, kur merrej në shqyrtim vlerësimi administrativ dhe ai profesional, që së bashku përbënin shumicën e pikëve, nga 60 të tilla, mbeteshin 40.

Urdhri i dytë, që ndryshoi skemën e vlerësimit, duke ulur pikët e vlerësimit të performancës dhe duke rritur peshën e intervistës me gojë 

Ndërhyrja nuk shqetëson vetëm Agron S., por edhe rreth 2.000 oficerë aplikues të 12 drejtorive të qarqeve në vend, të cilët i plotësonin kriteret e arsimimit, të kualifikimeve apo të kohës në shërbimin policor.

“Nuk ishte e ligjshme që të ndërhyhej në mes të procesit të konkurrimit dhe të vendoseshin rregulla të reja. U ndryshua thelbi. Më pak pikë për vlerësimin e punës dhe arsimimin, më tepër pikë për testet me shkrim e me gojë. Kjo i ndëshkonte profesionistët dhe të arsimuarit”, – shpjegon ai.

“Konkurrimi duhet të ishte anuluar dhe të rifillonte nga e para, me rregulla të reja. Unë dhe shumë kolegë të mi kemi mbetur të zhgënjyer”, – tha Agron S. për INA Median.

“Kriteret e vlerësimit nuk mund të ndryshojnë në mes të procesit. Është njëlloj, sikur të ndryshohen rregullat e futbollit në mes të ndeshjes”, – komentoi për INA Median Bajram Yzeiri, ish-ministër i Rendit dhe ish-drejtues i Akademisë së Policisë.

Të njëjtin mendim ndan edhe Ervin Karamuço, profesor i Kriminologjisë në Universitetin e Tiranës, njëkohësisht një nga kritikët e parë, publikë të procesit të fundit të dhënies së gradave në polici.

“Gafa më e madhe, që është bërë, është ndryshimi i rregullave gjatë procesit. Pra, iu bën thirrje aplikantëve për shpalljen e fillimit të konkursit dhe gjatë rrugës iu ndryshon rregullat e lojës, me justifikimin se nuk dimë ta bëjmë siç duhet dhe po e thjeshtojmë”, – thotë Karamuço.

“Në këtë pikë gjithkush ka të drejtë që të dyshojë se drejtuesit e policisë ndërhynë, pasi vunë re se të preferuarit e tyre, ose nuk e kishin fituar të drejtën e vijimit të konkurrimit pas fazës së parë, ose nuk premtonin se do ta fitonin gradën”, – komenton ai situatën.

Metodologjia e re shkualifikoi nga konkurrimi Agron S., si dhe një numër të madh aplikantësh, një pjesë e të cilëve vendosën që ta apelojnë.

Gabimet e Komisionit të Apelimit

Sipas një dokumenti, që mban datën 12.03.2024, Komisioni i Apelimit për gradën “Drejtues” ka marrë në shqyrtim 22 kërkesa të aplikantëve, të cilët bënë ankimim të vlerësimit.

Pas shqyrtimit, Komisioni iu ka shtuar pikët 13 aplikantëve në masën nga 0.5 deri në 9 pikë.

“Shtimi i pikëve, deri në 10 të tilla, e përbalt Komisionin e Gradimit, pasi marzhi i gabimit është aq i madh, sa disa aplikantëve, të cilët e meritonin, ua mohonte kategorikisht vazhdimin e konkurrimit”, – thotë Agron S. Dokumentet e Komisionit të Apelimit e vërtetojnë këtë pretendim.

Akil K., zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike, i cili konkurronte për gradën “Drejtues”, pas vlerësimit administrativ dhe atij profesional i ishin akorduar gjithsej 28 pikë, duke e renditur në vendin e 90 dhe duke i rrezikuar vijimin e aplikimit. Fatmirësisht, Akil K. e ankimoi vlerësimin, duke kërkuar përmes ankesës nr. 400-A, datë 08.03.2024, “rishikim të pikëve të vlerësimit administrativ dhe të performancës”.

Pas shqyrtimit të ankesës nga Komisioni i Apelimit, rezultoi se Akil K., kishte të drejtë. Komisioni i shtoi 9 pikë – një marzh katastrofik gabimi – pasi me këtë shtesë Akil K. u katapultua në majë të listës, saktësisht në dhjetëshen e parë, duke shmangur rrezikun e humbjes së garës dhe më tej, të gradës.

Faksimile e vendimit të Komisionit të Apelimit për gradën “Drejtues”, që gjeti parregullsi në vlerësimet e aplikantëve

I njëjtë ishte edhe rasti i Dritan B., me detyrë shef sektori në Akademinë e Sigurisë. Fillimisht ai ishte renditur i 95-ti, pra në fund të listës dhe rrezikonte vijimin e konkurrimit për gradën “Drejtues”.

Pas ankimimit me numër 502/8, datë 07.03.2024, Komisioni i Apelimit gjeti sërish gabime, duke i shtuar Dritan B. 7.67 pikë dhe duke e katapultuar 20 e ca vende më përpara në listë, një ndërhyrje që e ndihmoi të vijonte dhe të fitonte edhe gradën “Drejtues”.

Pas apelimit fatmirësisht shtimi i 2 pikëve të vetme mundësoi vijimin e konkurrimit edhe për Agron S.

Loja e dyshimtë me pikët

Listat përfundimtare të fituesve të gradave, bashkë me pikët e fituara, grenë dyshime për manipulim të procesit.

“Ndërhyrja” duhet të kërkohet te përgjigjet me gojë, në rubrikën e quajtur “Intervista”.

Vlerësimi administrativ, vlerësimi i performancës dhe ai me shkrim janë të vështirë që të manipulohen. Për dy të parët aplikantët paraqesin dokumente zyrtare, ndërsa testi me shkrim korrigjohet nga kompjuteri.

Në rastin e intervistës, e cila ka 30 pikë, praktikisht gjithçka është në duart e Komisionit. Lista e fituesve të gradës “Drejtues” përmban disa raste tepër të dyshimta.

Alfred C., konkurrent për gradën “Drejtues”, ka vlerësim maksimal, administrativ (10 nga 10), vlerësim të lartë të performancës (27.6 nga 30), vlerësim të lartë në testin me shkrim (24 nga 30), por ka 7 (nga 30) pikë të akorduara nga Komisioni për përgjigjet e intervistës.

Ky vlerësim ngre pikëpyetje, pasi i njëjti konkurrent, të njëjtat njohuri për profesionin e tij, me shkrim i ka të plota, ndërsa në përgjigjet me gojë i ka tejet minimale.(?!)

A është ky vetëm një paradoks apo një rast i pastër, korruptiv?

Përfundimisht, Alfred C. nuk e mori gradën “Drejtues” vetëm për shkak të rezultatit prej 7 pikësh në intervistë. Atij i mungonin 2 pikë për të kapur kufirin prej 70 pikësh të fitimit të gradës. Por, Alfred C. nuk është i vetëm. Fatin e tij ka pasur edhe konkurrenti Saimir D., i vlerësuar me 6 pikë në intervistë, por me rezultate të shkëlqyera në vlerësimin administrativ, në vlerësimin e performancës dhe në testin me shkrim, të cilit i është mohuar grada “Drejtues” për vetëm 1.5 pikë.  Kristaq Gj., i vlerësuar me 8 pikë në intervistë, e ka humbur gradën “Drejtues” për 1.4 pikë, Rajmonda G., e vlerësuar me 7 pikë në intervistë, e ka humbur gradën për 2 pikë etj., etj.

Por, ky konkurs ka edhe një anë tjetër të medaljes. Disa nga aplikantët, që më pas janë shpallur fitues, kanë pasur pikë minimale në vlerësimet e tjera, çuditërisht kanë shkëlqyer gjatë intervistës.

Ata nuk kanë arritur t`i marrin pikët maksimale të vlerësimit administrativ, të performancës dhe të testit me shkrim, por rezulton se me përgjigjet me gojë ata e kanë “mahnitur” Komisionin.

I. I. (Departamenti i Policisë Kriminale) ka pikë minimale të vlerësimit administrativ (6 nga 10), pikë përmbi mesataren të vlerësimit profesional (22 nga 30) dhe pikë mesatare në testin me shkrim (15 nga 30); por gjatë intervistës atij i janë akorduar pikët maksimale, 29 të tilla, duke e përfshirë në listën fituese të gradës “Drejtues” për vetëm 1.7 pikë përmbi limitin.

Por I. I. nuk është i vetmi që ka këtë paraqitje të dyshimtë të vlerësimit për gradën. Edhe të tjerë konkurrentë, përfshirë kolegë të tij të Departamentit të Policisë Kriminale, që “mezi” i kanë grumbulluar pikët minimale për të fituar gradën “Drejtues”, kanë balancë të prishur, sidomos në rezultatet e raportit të testimit me shkrim nga ai me gojë.

Faksimile e listës emërore të së drejtës për gradën “Drejtues”, ku mund të lexohen qartë disbalanca të vlerësimeve të intervistës krahasuar me rezultatet e testimit me shkrim 

Trukun e dyshuar si të përdorur për t`iu dhënë gradat aplikantëve, të cilët nuk e meritojnë, duke shfrytëzuar 30 pikët e testimit me gojë, e ka denoncuar publikisht në disa emisione televizive edhe profesori i Kriminologjisë në Universitetin e Tiranës, Ervin Karamuço.

“Truku ishte i thjeshtë dhe i lexueshëm. I vendosën shumë pikë testimit të njohurive me gojë, me qëllim që, nëse i preferuari i Komisionit apo i dikujt tjetër do dilte me pikë minimale në testin me shkrim, t’ia shtonin abuzivisht në provimin me gojë”, – argumentoi profesori për INA Median.

Trokitje në dyer që s’hapen

Pas përfundimit të procesit të konkurrimit dhe përcaktimit të fituesve, Agron S., paditi në Gjykatën Administrative Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, por pa sukses. Gjatë zhvillimit të gjykimit përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë thanë përpara gjykatës faktin se, tashmë, sipas rregullores së policisë, vendi i punës, që i korrespondonte gradës së Agron S., ishte zënë nga një tjetër konkurrent dhe se vende të tjera, vakante nuk kishte.

I kontaktuar nga INA Media Ermal Hamataj, avokat, i cili ka ndjekur në Gjykatën Administrative disa padi për gradat në polici, tha se për klientët e tij gjithçka e bënte të pamundur një nen në Ligjin për Policinë e Shtetit.

“Vitet e fundit kemi ndjekur 7 raste padish për grada të pretenduara si të mohuara, 6 nga të cilat i kemi humbur dhe vetëm një e kemi fituar. I kemi humbur, pasi gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor përfaqësuesit ligjorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë kanë paraqitur dokumentacion, që thotë se gradën për vendin vakant të punës e kishte fituar një tjetër aplikant. Është Ligji për Policinë e Shtetit, pikërisht neni 60, pika 4, që i jep fuqi vendimit të Komisionit të Apelimit për Gradat në Polici, duke sanksionuar se vendimi i këtij komisioni është i zbatueshëm menjëherë. Pra, është një ngërç i pastër, ligjor, pasi gjithçka mbyllet brendapërbrenda policisë, duke mos lënë asgjë për gjykatën”.

Në kuadër të informimit publik, INA Media i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë disa nga vendimet, që mundësuan realizimin e konkursit për fitimin e gradave, vendimet e rezultateve, numrin e ankimuesve të procesit, bazuar në metodologjinë e ndryshuar në mes të garës, arsyet e kundërshtimit të rezultatit, ankesat kryesore etj.

Por, përgjigjja e datës 22.05.2024, e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun në Policinë e Shtetit, jo vetëm që nuk i përgjigjej asnjërës prej pyetjeve, por nuk shoqërohej nga asnjë dokument.

Ajo përmbante vetëm dy fjali, që nuk kanë lidhje me kërkesën e dërguar nga INA Media.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit respekton kuadrin ligjor e nënligjor, rregullat e procedurat në fuqi, gjatë procesit të fitimit të gradës së punonjësve të policisë. Ky kuadër ligjor e nënligjor normon edhe procesin e ankimit, si e drejtë ligjore e kërkuesve të gradës”.

Ndërsa përgjigjja e AMP (Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore), e datës 22.07.2024, kishte pak më shumë informacion, po që sërish ngrinte pikëpyetje.

Sipas AMP, për procesin e ngritjes në gradë të punonjësve të Policisë së Shtetit ishin administruar 6 ankesa/denoncime.

Dy ishin denoncime për punonjës, të cilët, pavarësisht se nuk i përmbushnin kriteret ligjore të procedurës në Ligjin 108/2014 për Policinë e Shtetit, janë kualifikuar. Ndërsa katër ishin ankesa të punonjësve të policisë, të cilët ishin shkualifikuar dhe kishin paraqitur pretendime mbi procedurën e vlerësimit të ndjekur ndaj tyre.

“Në të 6 rastet nga AMP është kryer hetimi administrativ dhe për përfundimet e arritura i është dërguar materiali përkatës për analizë, ndjekje dhe marrje masash Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë”, – mbyllet informimi zyrtar i AMP.

I paqartë është fakti se si këta ankimues AMP i ka kthyer sërish mbrapsht, duke ia dorëzuar për gjykimin e mëtejmë subjektit, të cilin ata e ankimonin/denonconin, pra Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Po ashtu, asnjë nga 6 ankimimet nuk është marrë parasysh, pasi, nëse diçka e tillë do të kishte ndodhur, procesi do të ishte anuluar, sepse mjaftonte që vetëm njëri nga të gjashtë të fitonte të drejtën, që të anulohej lista e parë për t`u bërë një listë e re.

Dëmi, që po i shkaktohet policisë

Ish-ministri dhe ish-drejtori i Akademisë së Policisë, Bajram Yzeiri, thotë se gjithçka që ka ndodhur, nuk është aspak serioze dhe se, për mendimin e tij, çalon struktura ligjore.

“Komisionin e dhënies së gradave e ka drejtuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe jo Akademia e Policisë apo e Sigurisë. Kjo nuk është e drejtë. Zot është Akademia. Ata i bëjnë programet, ai është institucioni që mat njohuritë. Komisioni duhet të drejtohet nga Akademia dhe mund të ftohet, me vlerën e një anëtari, një drejtues policie, një ekspert sigurie e të tjerë. Pra, jo të drejtojë Policia, jo të vendosë Policia për gradat e saj”, – tha ai për INA Median.

Por, ç`pasoja kanë këto proceseve të dyshimta?

Ervin Karamuço e ka një përgjigje.

“Problemi kryesor është produkti i këtyre konkurrimeve të dyshimta. Disa persona, të cilët kanë marrë gradat, sepse kanë dalë me pikë të larta në konkurrim, janë për të qeshur, janë injorantë, që s’kanë lexuar një libër në jetë. Çfarë mund të presësh prej tyre në drejtim të strukturave të policisë? Vetëm rezultate mediokre. Ndërkohë, ke hedhur tej të shkolluarin dhe specialistin”, – argumenton procesin ai.

Ky proces shkatërroi sistemin e karrierës në polici, duke i hapur rrugë prurjeve me shkelje të rënda, ligjore nga jashtë Policisë së Shtetit.

Shkak-pasojë, degradimi është i dukshëm. Kohët e fundit ka pasur prova të implikimit me krimin të drejtuesve të nivelit të lartë të policisë.

Altin Dumani, drejtues i SPAK, deklaroi publikisht se nuk kishte besim te drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

Oltion Bistri, ish-drejtor Policie në Durrës e në Lezhë, si dhe shefi i Drejtorisë së Forcës Operacionale të Policisë, u arrestua i akuzuar për lidhje me krimin, ndërkohë që pasuria e tij, e pajustifikuar shkonte përmbi 3 milionë euro.

D. Gjoni, shef i një komisariati policie, u provua se po i nxirrte në pritë kundërshtarin një grupi kriminal, pasi më parë e shoqëroi atë në dhomat e izolimit.

Gazetarët dhe komisioni hetimor, parlamentar për çështjen TIMS provuan marrjen e njerëzve me të shkuar të dyshimtë apo kriminale dhe katapultimin e tyre deri në drejtorë departamentesh të policisë, shoqëruar me dhënien abuzive të gradave “Drejtues i Parë”.

“Policia është në krizë, pasi drejtuesit nuk kanë shkollë të mirëfilltë, policore, gradat janë dhuruar, shumica e drejtuesve janë me kurse. Shikoni me kujdes drejtorët e policive në konferencat për shtyp. Ata nuk dinë të flasin, janë keq fare në formulim, domethënë se janë të keqformuar”, – tha për INA Median ish-ministri, Yzeiri.

Agron S., oficeri me sy prej fëmije, të cilin zakonisht e sheh rrugëve të Tiranës, duke ecur në këmbë, me një dosje apo libër në duar, e humbi mundësinë për një hap në karrierë.

Edhe më i arsimuar, edhe më i zoti profesionalisht se shumë të tjerë, ai nuk shkonte në një linjë me një realitet tashmë të shtrembëruar, pasi nuk ishte pjesë e klaneve, nuk ishte pjesë e politikës, nuk kishte miq. Ai humbi.

“Humba gradën vetëm për afërsisht 2 pikë. Nuk kisha mik dhe iu besoja disa prej anëtarëve të Komisionit të Gradave, të cilët ma njihnin karrierën, por u zhgënjeva. U ndjeva totalisht i mbaruar, sidomos kur pashë se si disa të njohur të mi, të cilët të gjithë së bashku nuk kanë kontributin tim në polici, i morën gradat”, – denoncon në INA Media Agron S./ INA MEDIA