Së bashku me vëllezërit vranë 33-vjeçarin, arrestohet pas një viti i riu nga Shkodra

Autori i një vrasje të ndodhur një vit më parë në një lokal në fshatin Hot i Ri në Shkodër është vënë në pranga nga policia.

Blutë bëjnë me dije se 21-vjeçari Luçian Mehilli, i arrestuar sot, akuzohet se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, të arrestuar më herët, kanë vrarë 33-vjeçarin Valter Fjerza.

Për të, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Vrasja me dashje", “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

“Në vijim të punës për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, në lidhje me vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, më datë më 21.09.2023, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin L. M., 21 vjeç, banues në Shkodër.  Në lidhje me këtë rast, Policia ka vënë në pranga dhe shtetasin E. D., për veprat penale "Përkrahja e autorit të krimit", “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe po punon për kapjen e shtetasit A. M., të kërkuar për të njëjtat vepra penale.  Deri tani, për këtë rast, Policia ka vënë në pranga 4 shtetas dhe vijon punën për ndalimin e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim”, sqarojnë autoritetet.

Pas ngjarjes, nga kontrollet në lokalin në afërsi të vendit ku u krye vrasja, policia po ashtu gjeti dhe sekuestroi një sasi kanabisi në trajtë boçe, që dyshohet se posedohej nga 5 shtetasit.