Frikë nga kuzhina e pasur napolitane, protokoll i rreptë për blerjen 30-milionëshe e Napolit

Scott McTominay, ish-lojtar i Manchester United, për të cilin Napoli i Antonio Contes pagoi më shumë se 30 milionë euro, është "në rrezik dhe nën vëzhgim për dietën e tij" për shkak të "epshit ndaj kuzhinës napolitane".

Mesfushori 27-vjeçar skocez duhet të marrë në shtëpi çdo ditë, pas çdo seance stërvitore, një shënim se çfarë mund ose nuk mund të hajë.

Gazeta “Il Mattino” paralajmëroi për "tundimet e shumta të kuzhinës napolitane" si akullorja, pica, makaronat dhe djathi, të cilat po ndryshonin dietën e McTominay, i cili kaloi 22 vjet tek United.

Futbollisti britanik është paralajmëruar seriozisht për rreziqet që mund të paraqesin në dietën e tij produktet e qumështit.

Antonio Conte është shumë i rreptë sa i përket peshës së lojtarëve të tij, kështu që te Napoli është një protokoll i zakonshëm për të monitoruar dhe kontrolluar dietën e lojtarëve të huaj.

Gjatë kohës së tij tek Interi, trajneri italian e detyroi Romelu Lukakun të humbiste 3.2 kilogramë në pak javë me dietën “Bresaola”.