Shkatërrohet grupi i trafikantëve shqiptarë, ekzekutohen 61 masa ndalimi, kapet drogë me vlerë 30 milionë euro

Nga Alba Kepi/

Fitimet nga trafiku i kokainës ricikloheshin përmes një sipërmarrësi kinez në Breshia të Italisë.

Sekuestrohdm mbi 60 milionë euro para cash e pasuri materiale.

Një megaoperacion është ekzekutuar mëngjesin e sotëm që ka çuar në shkatërrimin e një organizimi kriminal trafiku ndërkombëtar lëndësh narkotike nga Amerika Latine drejt Hollandës, Spanjës e Italisë.

Operacioni u ekzekutua nga Guardia di Finanza e Breshës e Drejtoria kundër krimit të organizuar nën koordinimin e Europol, e forcave të policisë italiane, shqiptare, polake e zvicerane.

Me urdhër të Prokurorisë së Breshës janë kryer 61 urdhër ndalimi me akuzën e pjesëmarrjes në organizimi kriminal për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike e ngritjen e një sistemi riciklimi parash përmes faturave false.

Hetimet e operacionit kanë nisur më 2020 e kanë vazhduar deri më 2024, bazuar në komunikimet e kriptuar të përdorura nga anëtarë e këtij organizimi në aplikacionin SKY ECC si dhe në përgjimet telefonike, telematike e ambientale.

Baza e këtij narkotrafiku ishte Shqipëria me disa degë të shtrira në të gjithë territorin shqiptar.

Hetimet kanë dokumentuar se kanë trafikuar sasi të mëdha kokaine përmes rrugëve tregtare e mjeteve të rënda të transportit nga Amerika e Jugut drejt Evropës e Italisë përmes Spanjës e Holandës.

Kokaina e mbërritur në Itali magazinohej në 5 baza logjistike në komunat

Brescia, Romano di Lombardia e Palazzolo sull’Oglio, Varese e Pisa.

Brenda këtyre bazave ishte ngritur një tjetër organizim kriminal paralel italo-kinez që përdorej për riciklimin e parave të fituara nga trafiku i kokainës përmes një llogari bankare të fshehur.

Janë vërtetuar rreth 375.000.000 fatura false e një mekanizëm bankar që favorizonte transferimin e parave të drogës në vende të ndryshme.

Janë arrestuar sot në flagrancë 21 persona, janë kapur  360 kg lëndë narkotike me vlerë fitimi tregu rreth 30 milionë euro, 2 milionë e gjysëm euro cash, 5 armë zjarri e 8 autovetura luksoze.