A do të zhvendoset trupi i Titos nga Beogradi?

Nxjerrja e trupit të Titos dhe largimi nga Beogradi? Këtë ide nuk e mbështet gati askush në Muzeun e Jugosllavisë, por në Beograd është hapur një debat i madh, pas kërkesës së kryetarit të bashkisë së Beogradit, Aleksandar Shapiq, që mbetjet mortore të Titos të largohen nga Serbia.

Muzeu ku bën pjesë edhe Shtëpia e Luleve me varrin e Mareshalit jugosllav dhe presidentit të përjetshëm të Jugosllavisë Josip Broz Tito, nuk dëshiron t’i përgjigjet zyrtarisht pyetjeve të gazetarëve për këtë temë. Por shitësi që ofron kapele partizane, flamuj dhe simbole të tjera jugosllave para muzeut në Dedinje mendon se ideja është një marrëzi. Të njëjtën gjë mendon edhe roja në këtë muze. Por edhe të gjithë vizitorët.

Të huajt që gazetari i Deutsche Welles i takoi në këtë muze gjatë vizitës së tyre atje – nga Gjermania, Filipinet, Japonia dhe Kroacia – as që kishin dëgjuar për të gjitha këto diskutime. Ndërsa vendasit kanë dëgjuar për këtë ide dhe kjo nuk u pëlqen. Miodrag Elezoviq (70), një piktor që vizitoi muzeun me vajzën e tij dhe dy mbesat, bëri kryq para varrit të Titos. Ai mbrojti të drejtën e Brozit për të vazhduar të pushojë aty ku është.

“Heqja e varrit do të ishte përdhosje. Në ortodoksi, varri është i shenjtë dhe nuk duhet prekur. Kërkesat e (kryetarit të bashkisë së Beogradit) Shapiqit janë politike, por ky komb duhet të respektojë varrin dhe traditën”, tha Elezoviç për DW.

“Ne nuk do t’i zhvendosim të gjitha varret tani, apo jo? Kushdo që dëshiron të vizitojë varrin e Brozit le të vijë. Nëse nuk do, nuk është e domosdoshme”, thotë ai duke shtuar se Tito dhe Jovanka Broz kanë shkruar historinë e Jugosllavisë dhe se trupat e tyre duhet të mbeten në Dedinje.

Zhvarrosja e Titos nuk do të sillte asgjë të mirë për Serbinë. Disa ditë më parë presidenti Aleksandar Vuçiç i tha Politikos se ai “kurrë nuk ishte tifoz i komunistëve dhe regjimit komunist”, por se “Tito është pjesë e historisë”. “Ai ka jetuar këtu, është varrosur këtu dhe do të mbetet pjesë e historisë jugosllave dhe serbe”, tha Vuçiq, duke hedhur poshtë idenë e Shapiqit.

Kryebashkiaku i Beogradit, Shapiç ndan neverinë e tij ndaj “regjimit komunist” me presidentin Vuçiç. Por ai me iniciativën e tij do të ngjallë vëmendjen e të gjitha mediave serbe, rajonale dhe evropiane – sepse të gjtiha ato e konsiderojnë Titon si një prej figurave më të rëndësishme të kohës së tij.

Shapiq thotë se zhvarrosja dhe zhvendosja do të paguhej nga Beogradi. Ndërsa njëkohësisht ai kërkon që ish-drejtuesit të çetnikëve Dragoljub (Drazha) Mihailoviç t’i ngrihet një monument në parkun afër Terazije, në qendër të Beogradit. E kjo temë ka shkaktuar edhe përçarje politike në Serbi. Kreu i Partisë Socialiste, Ivica Daçiç, tha ai sigurish që është kundër, ndërsa Serbia ka më shumë sfida dhe gjëra të tjera, sesa t’i hapë temat e vjetra.