Do bëjmë shtetin... e Baba Ed-Mondit

Rama pati thënë që ‘do bëjmë shtet’, po ku ta dinim ne që e paska pas për shtetin e Baba Edi-Mondit! 

Kështu e nisi Rama udhën e pushtetit sa erdhi sefte në vitin e largët 2013, shpalosi idenë e ndërtimit të shtetit nga e para. Tipike për pushtetarë me prirje të forta narciste dhe autokratike rrjedhimisht.

Megjithëse propaganda e neveritshme e mediave dhe papagallëve të tij ishte një tregues se çfarë do bënte me, “ne do bëjmë shtet”, shumica e njerëzve e ‘besuan’ duke pranuar idenë se qeveri e re, koncept i ri për shtetin.

Mirëpo sloganit iu dëgjua krisma që në mandatin e parë, 2015-2016 nisi kanabizimi i tërë territorit të Shqipërisë. Edi Rama kishte marrë “leje” nga ndërkombëtarët për të eksperimentuar kanabizimin dhe ndërtuar një ekonomi të modelit të narko-shtetit.

Kujtoj këtu se në ato vite erdhi gjithë pompozitet Ricardo Hausmann, profesori i famshëm i Harvardit, që do jepte mend se si duhej zhvilluar ekonomia shqiptare dhe veçanërisht, bujqësia. Profesorit, i njohur si ithtar i ideologjisë sorosiste, i lindi ideja se ky vend nuk konkuron dot me botën me domate e shalqi, por paska klimë ideale për kanabis (e maskuar kjo me bimë aromatike mjekësore). Kam qenë edhe vetë disa herë i pranishëm në diskutime të ngushta që bënte profesori, dhe prej atij momenti e kam kuptuar se çfarë do ndodhte më pas.

Të gjithë e dinë ç’dodhi pas këshillave të profesorit të famshëm nga Harvardi, me avione të mbushur plot me kanabis që binin si mushkonja, me komisariate policie që bënin roje në parcelat e drogës dhe me një ministër të brendshëm që herë pas here bënte edhe shoferin e kësaj shtet-bërje dhe merrte lavdërime publike nga kryeministri Rama. Këto ishin hapat e para të shtet-ndërtimit sipas konceptit të Ramës.

Më tej, procesi i shtet-ndërtimit kaloi në arsim. ‘Reforma’ e famshme e arsimit të lartë, ‘investimi’ në arsimin parauniversitar, e cila bëri të mundur që universitetet shqiptare të renditen në vendet e para nga fundi në çdo rankim ndërkombëtar dhe sigurisht arsimi parauniversitar u mat nga një tjetër agjenci ndërkombëtare, PISA, e cila na tregoi se shtet-ndërtimi kishte dhënë efektet e duhura; nxënësit shqiptarë kishin arritur në nivelin e pamenduar më parë, që të lexojnë një tekst dhe të mos jenë në gjendje të kuptojnë çfarë kanë lexuar.

Shtet-ndërtimi nuk mund të linte pas dore as shëndetësinë falas. Pasi u bë falas, në shëndetësi shpërthyen bamirësit e PPP-ve, ose filantropët sipas ideologjisës së Sorosit dhe u shfaqën Vilma Nushët me shokë që morën miliona euro konçensione për të na dhuruar një shëndetësi moderne.
Oreksi i shtet-ndërtimit vjen duke ngrënë.

Nuk mund të mbeteshin pas edhe “rrugët e lëna rrugëve”, aeroportet, portet… se shteti nuk është vetëm drogë, arsim e ilaçe, është edhe infrastrukturë.
U ndërtua aeroporti i Kukësit, i cili do bënte namin. U përurua nja 7 herë nga Rama, me dronë, me video e më the të thashë, siç e do zakoni. Sigurisht aeroporti nuk ka bërë më shumë se 7 fluturime deri tani. Po për ta kompensuar do bëhet edhe një tjetër në Vlorë dhe Gjirokastër.
Portin e Durrësit, ndër më të vjetrit dhe të rëndësishmit në Mesdhe shteti ia dha Alabarit falas dhe shqiptarët për të kontribuar në shtet-ndërtim do paguajnë nga xhepat mbi 1 miliardë euro për të bërë një port të ri. Ndërsa rrugët filluan të shtrohen me ar, 20-milion, 22-milionë euro kilometri kushtojnë, nja 7-8 herë më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit.

Po shteti i bërë taze i ri nga e para, s’mund të ishte një shtet plot me plehra e mbeturina që kutërbojnë dynjanë. Për këtë lideri i shtet-bërjes shpiku inceneratorët. Vërtetë shqiptarët paguan miliona euro, por ama sot nuk ka as mbeturina, as incenerstorë. Shteti kutërbon erë trëndelinë në të katër anët, Tirana sidomos.
Jehona e shtet-ndërtimit mori dhenë…

Shqipëria hapi 5-6 herë negociatat me Europën, por kjo e fundit, siç ka thënë edhe Fishta i madh, ka qenë dhe vijon të mbetet kur*ë. Nuk sheh hapat gjigante të shtet-bërjes së Ramës, por sheh letrat, raportet për korrupsionin, demokracinë, lirinë e medias etj dhe e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro e në shtet-bërje të palodhshme.
E si mund të kuptohet shtet-bërja pa përzënien masive të shqiptarëve, të cilët janë gjetur fajtorë sipas konceptit të Ramës që ky vend nuk bëhej. Kështu Rama krijoi të gjitha kushtet që mbi 1-milionë shqiptarë t’i përzërë nga sytë këmbët në vetëm një dekadë. Dhe për këtë i ka kërkuar ndihmë vendeve të Afrikës e Azisë, Italisë, është në negociata me Anglinë për popullimin e vendit me njerëz që marrin vesh nga shtet-bërja.

Në këtë proces të gjatë e të mundimshëm të, ‘ne bëjmë shtet’ rilindja me ndihmën e Baba Sorosit sajoi edhe një reformë në drejtësi, se s’ka kuptim shteti pa pushtetin gjyqësor që e kupton qartë konceptin e kryeministrit për shtet-bërjen. U bë reforma në drejtësi dhe afërmendsh, siç edhe thotë dhe përfaqësuesi më dinjitoz i saj, Altin Dumani, tani duhen hequr pengesat që nuk e lenë kryeministrin Rama të përmbushë plotësisht konceptin e, “ne bëjmë shtet”.

Pengesa kryesore, Sali Berisha, i cili jo vetëm që nuk i “bindet” shtet-bërjes së Rama-Sorosit, por ka edhe njerëz nga pas, u mbyll në shtëpi. Sigurisht edhe ca pengesa tjera si Ilir Meta, Fatmir Mediu etj duhet të mbahen në zap sepse, kush janë ata që i dalin para shtet-bërjes.

Pasi mbaroi punë me këto pengesa të ‘vogla’, Edi Rama tani ka propozuar të bëjë tamam atë shtetin që kishte ndërmend kur erdhi në 2013-ën.
Një shtet të mirëfilltë sipas konceptit ideologjik të Sorosit. Një shtet “fetar” ku nuk ndalohet alkoli, nuk kontrollohet qarkullimi i parasë…pse jo edhe ku mund të jetë i legalizuar aborti, droga…Një shtet që nuk ka kurrfarë linje ideologjike as me fenë, as me shtetin. Pak a shumë një shtet PARAJSË, ose Xhennet, meqë ia ka vënë emrin, shteti islam.