GjK cakton datën kur do shqyrtohet masa e sigurisë për kreun e PD, Sali Berisha

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 19 nëntor për të shqyrtuar ankimin e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, kundër masave të para të sigurisë, të mara nga SPAK në kundërshtim me Kushtetutën, duke anashkaluar edhe precedentët e mëparshëm se si është vepruar me deputetët e Parlamentit të Shqipërisë.

Një javë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të kalojë për shqyrtim në seancën plenare ankimin e bërë nga lideri i opozitës, Sali Berisha, kundër masës së parë të sigurisë të caktuar ndaj tij, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Në ankimin e drejtuar Kushtetueses kryedemokrati kërkon shfuqizimin e vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme në tetor 2023, por edhe ata të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, që e lanë në fuqi masën.

Në thelbin e kërkesës së liderit të opozitës është fakti se gjykatat kanë shkelur Kushtetutën duke caktuar një masë sigurie shtrënguese ndaj tij, pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi i Republikës, për shkak të statusit të tij të deputetiti.

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankimin e Berishës pa praninë e palëve, por vetëm mbi bazë dokumentesh.

Në të njëjtën ditë, Kushtetuesja vendosi të kalojë në seancë plenare edhe ankimin e bërë nga dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili kërkon shfuqizimin e masave të sigurisë të dhëna ndaj tij.