Presidenti amerikan fjalim në OKB: Lufta e Putinit, ka dështuar

Presidenti amerikan, Joe Biden u zotua të mbështesë Ukrainën deri në fitore në luftën e saj kundër Rusisë, gjatë fjalimit të tij të martën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Bideni ka thënë se që nga fillimi i luftës më shumë se dy vjet më parë, aleatët dhe partnerët e NATO-s u ngritën kundër Rusisë.

“Më e rëndësishmja, populli ukrainas u ngrit në këmbë. I kërkova njerëzve në këtë dhomë të ngrihen në mbrojtje të tyre”, ka deklaruar Biden, raporton CNN. “Lajmi i mirë është se lufta e Putinit ka dështuar, dhe ashtu siç ka dështuar edhe qëllimi i tij kryesor. Ai u nis për të shkatërruar Ukrainën, por Ukraina është ende e lirë. Ai u nis për të dobësuar NATO-n, por NATO është më e madhe, më e fortë, më e bashkuar se kurrë më parë, me dy anëtarë të rinj, Finlandën dhe Suedinë”, ka deklaruar Bideni.

Presidenti Biden foli edhe për numrin e vdekjeve dhe dhimbjen e ndjerë nga civilët e pafajshëm në të dyja anët e konfliktit Izrael-Gaza. Biden iu referua qindra civilëve të vrarë gjatë sulmit të Hamasit në Izrael 11 muaj më parë dhe numrit të madh që u morën peng.

“Civilët e pafajshëm në Gaza po kalojnë gjithashtu në ferr. Mijëra e mijëra të vrarë, përfshirë punëtorët e ndihmës. Shumë familje të zhvendosura, të grumbulluara në tenda, duke u përballur me një situatë të rëndë humanitare”, është shprehur Bideni. Në lidhje me marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, Bideni ka thënë se tani është koha që palët të finalizojnë kushtet e saj, të sjellin pengjet në shtëpi dhe t’i japin fund luftës.