Turistët 'kryqëzojnë' Sarandën dhe Ksamilin me komente negative, imazhin e rregullon disi Butrinti

Të kryqëzuara këtë vit me vlerësime negative në blogje apo faqe të caktuara që përdoren nga turistët për orientim, Saranda dhe Ksamili duket se humbën jo pak pikë.

Madje në Tripadvisor vlerësimi për Ksamilin që ishte në korrik 2.5 tashmë ka zbritur në 2 dhe më shumë duket se kritikat lidhen me dyndjen e shezloneve dhe zhurmën.

Por përtej këtyre vlerësimeve që gjithsesi nuk tregojnë eksperiencën e secilit në këto destinacione turistike, duket se ka një pikë në këtë rajon që është bërë zgjedhja e preferuar e turistëve. Parku Kombëtar i Butrintit rezulton si zgjedhja e udhëtarëve e vitit 2024. Ky është një status që destinacionet e fitojnë falë vlerësimeve pozitive që marrin mënyrë të vazhdueshme dhe që i rendit ato tek 10 për qind e listimeve më të mira.

Thuajse të gjithë vlerësimet për këtë park në Tripadvisor janë pozitive.

“Kjo ishte një përvojë e mahnitshme por unë sugjeroj të mos vini në mes të ditës pasi bëhet shumë nxehtë. Midis perëndimit të diellit është mahnitëse” shprehet Zephyr nga Londra.

“Ne vizituam Butrintin si pjesë e një turi më të madh me guidë rreth zonës. Kaluam rreth një orë atje, por mund të kishim kaluar më gjatë duke u endur vetë nëse nuk do të kishim qenë pjesë e turit.

Thënë kjo, ishte shumë bukur të kishim dikë atje për të shpjeguar atë që po shihnim, kështu që unë mund të rekomandoj të konsideroni një tur nëse shkoni. Është e lehtë të shkosh nga Saranda ose Ksamili (mendoj se ka edhe një autobus çdo një orë që mund të marrësh), kështu që ia vlen ta vizitosh nëse ndodhesh në zonë” shprehet Katie nga Çikago.

“Një udhëtim i këndshëm me fëmijët. Shijuar zonat me hije dhe një shëtitje rreth rrënojave. 1000 lekë (10 €) për person dhe fëmijët nën 12 vjeç janë falas. Vetëm para në dorë, ose mund të rezervohet online. Më mirë ta vizitoni herët në mëngjes, për të shpëtuar nga vapa e muajve të verës”, shprehet një tjetër turist po nga Britania.

Një vizitor nga Dubai e vlerëson gjithashtu pozitive eksperiencën e tij në këtë park.

“Rajoni jugor i Shqipërisë është plot histori. Parku Kombëtar i Butrintit është një park arkeologjik që fsheh epokat e hershme greke, bizantine, romake dhe osmane të historisë së vendit. Vetëm 14 për qind e asaj që është varrosur poshtë është zbuluar dhe është lënë për t’u parë për vizitorët. Dikush që viziton parkun mund të ecë në një tur me guidë (mund të ecë edhe vetë) dhe të kuptojë strukturat e ndryshme.

Ka tualete në fillim dhe në fund të udhëtimit. Mbani një shishe me ujë dhe bar me gjëra të shpejta në rast të lodhjes nga shëtitja. Vizitoni gjithashtu muzeun në fund të turit. Pamje e këndshme piktoreske e rajonit është e dukshme nga lart” nënvizon ai.

Teksa tashmë sezoni veror është mbyllur dhe këtë vit për pjesën më Jugore të vendit jo në formën e tij më të mirë duket se shtatori do të jetë një muaj ku nuk do të mungojnë vizitorët. Një prani më e pakët turistësh dhe zhurme por edhe një korrigjim çmimesh ndoshta do të shërbejnë në një përmirësim të vlerësimeve të këtyre destinacioneve që të huajt i marrin parasysh në rezervimet që bëjnë./MONITOR