VIDEO/ Shkreli: Kryebashkiaku i Shkodrës propagandon në rrjet sikur bën investime, por po ju shemb shtëpitë qytetarëve

Eliona Shkreli, Anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër përmes një lidhje Skype për emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ tregoi se fatkeqësisht investimet në qytetin e Shkodrës janë zero, e ndërsa taksat për qytetarët janë rritur dhe e gjithë propaganda që qeveria Rama dhe kryetari i Bashkisë japin në media sikur bëjnë investime, është e gjitha show mediatik.

“Nuk e di se kur do të përfundojë kjo katastrofë që ata kanë nisur dhe që propagandojnë sikur bëjnë investime, ndërkohë që shembin shtëpitë e qytetarëve e nuk kanë lejet e ndërtimit”-u shpreh Shkreli.

Deklarata e saj:

"Taksat e bashkisë nga 17 mijë që kanë qenë, me rritjen që është bërë nga administrata rilindase u bë 25 mijë lekë në muaj, pastaj energjia elektike ku pagesa më e vogël mujore shkon 30-35 mijë lekë.

Këtu sigurisht nuk llogarisim ushqimin, shportën kryesore që janë produktet kryesore që shkojnë tek 30 mijë lekshi duke mos llogaritur edhe bukën që është 1 mijë lekë në ditë që shkon 30 mijë lekë në muaj.

Kjo bën që shqiptarët të largohen sepse nuk kanë shpresë e punë, janë varfëruar çdo ditë e më shumë në këto 12 vite dhe sidomos në qarkun e Shkodrës ku investimet kanë qenë totalisht zero, e ndërsa taksat janë rritur.

Ka nisur ndërkohë edhe procedura për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm dhe në janar do do të nisë çmimi i ri i ujit e këta mendojnë vetëm të rrisin taksat e korrupsionin dhe të varfërojnë shqiptarët.

Për të mos thënë pastaj që është një tjetër projekt-vendim që është propozuar nga bashkia Shkodër, që edhe parkingjet në bulevarde do të bëhen me pagesë.

Të gjitha këto që përmenda janë futje në xhep të parave të shkodranëve dhe nuk e di se kur do të përfundojë kjo katastrofë që ata kanë nisur dhe që propagandojnë që po bëjnë investime, ndërkohë që shembin shtëpitë e qytetarëve e nuk kanë lejet e ndërtimit".

Klea Sula/ Syri.Net