Dita më vdekjeprurëse e dy dekadave të fundit/ Izraeli intensifikon sulmet ajrore në Liban

Të paktën 492 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore intensive t Izraelit, që shënjestronin Hezbollahun në Liban.

Ministria e Shëndetësisë së Libanit e ka konsideruar si dita më vdekjeprurëse e konfliktit në pothuajse 20 vjet.

Mijëra familje janë larguar gjithashtu nga shtëpitë e tyre pasi ushtria izraelite tha se goditi 1300 objektiva të Hezbollahut në një operacion të ndërmarrë për të shkatërruar infrastrukturën që grupi i armatosur kishte ndërtuar që nga lufta e vitit 2006.

Hezbollahu, ndërkohë, lëshoi më shumë se 200 raketa në veri të Izraelit, sipas deklaratave të ushtrisë. Mjekët thanë se dy persona u plagosën nga predha.

Fuqitë botërore kanë kërkuar vetëpërmbajtje pasi të dyja palët duket se po afrohen më shumë drejt një lufte gjithëpërfshirëse.

Ministria e shëndetësisë e Libanit tha se 35 fëmijë dhe 58 gra ishin në mesin e të vdekurve, ndërsa 1,645 të tjerë ishin plagosur.

Megjithatë nuk raportohet për numrin e saktë se sa prej viktimave ishin civilë dhe sa ushtarakë.