Propozimi i Ramës/ Pastori: Tradhti kombëtare, fatkeqësisht u pranua nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve…

Pastori Akil Pano ka kundërshjtuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një Shteti Sovran të Urdhërit Bektashi.

Pano tha se propozimi i Ramës ka nocion tradhtie kombëtare dhe cënon drejtpërdrejt nenin e parë të Kushtetutës.

Gjithashtu, ai deklaroi në emisionin e Erla Mëhillit se ndihet keq që Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve ka pranuar këtë projekt, pa e diskutuar në tryezën e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

“Do ishte në nderin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë të dilnin me një deklaratë të përbashkët, të 5 ose të 4 tashmë fatkeqësisht komuniteteve shqiptare se inkoherenca që po na zbulohet brenda 24 orëve nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve tregon se e kanë përqafuar projektin e Ramës për vendosjen e një shteti fetar brenda territorit sovran të Republikës. Nëse është fjala për ta ruajtur harmoninë fetare duhet që asnjë nga këto të mos shkëputet nga kjo buqetë për t’i dhënë një status i veçantë.

Sa e ekspozon Shqipërinë në raportet problematike në dimensionin gjeopolitik? Nuk kemi të bëjmë me një kërkesë të komunitetit Bektashi, është projekti i një personi që komunikon me popullin e vet përmes medias së huaj siç bëri për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë. Neni i parë i Kushtetutës cënohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, kemi të bëjmë me çështje që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë e nocionin e tradhtisë kombëtare”, tha pastori Pano.