‘Përshkallëzojmë reagimin’/ Balliu: SPAK sulmon opozitën duke goditur Berishën! Kërcënon pushtetin e Ramës

Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu e konsideroi procesin e SPAK kundër liderit të opozitës, Sali Berisha, si tërësisht politik dhe të manipuluar.

 I ftuar në News24, Balliu tha se kjo po ndodh pasi Berisha kërcënon pushtetin e Edi Ramës. Ai tha se SPAK po sulmon opozitën duke goditur Sali Berishën.

Sipas tij, Berisha nuk ka bërë asnjë pikë korrupsioni, nuk ka shkelur asnjë ligj, por po goditet që Edi Rama të vijojë të jetë në pushtet.

“Dosja e SPAK ndaj Berishës është e falsifikuar, çështja është kush do e hetojë falsifikimin e SPAK? Këta të SPAK thonë se Sali Berisha ka qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që z. Berisha nuk ka qenë asnjëherë kryebashkiak”, tha Balliu.

Në vijim, ai tha se SPAK operon me standard të dyfishta, pasi në rastin e Olta Xhaçkës, e cila duhej të ishte në burg sepse favorizoi bashkëshortin e saj si investitor strategjik, as nuk përmentet në dosje, ndërkohë që Kryetari i PD-së mbahen në arrest me urdhëra politikë, pa prova e fakte.

Gjithashtu sipas Balliut kjo ka ndodhur edhe me inceneratorin e Tiranës, ku pronari faktik nuk është në burg, ndërsa mbahen në arrest drejtorët.

“Po paratë e kujt kanë pastruar këto drejtorët që janë në burg? A thotë SPAK se paskan pastruar paratë këto drejtorët, të kujt janë paratë”, tha Balliu.

Në vijim ai u shpreh se gjithashtu skandale të Belinda Ballukut janë edhe “Tigri1” dhe “Tigri2” në Vlorë, por këtu ecet me atë që një skandal të mbyllet me një skandal edhe më të madh e kështu me rradhë.

Një tjetër skandal të madh, Balliu konsideroi edhe shpopullimin e vendit, ndërsa u shpreh se urrjetja e qytetarëve të Tiranës ndaj Kyebashkiakut Erion Veliaj, tregohet me protestat që janë organizuar nga opozita.

“Janë 27 protesta para Bashkisë së Tiranës, janë bërë protesta edhe në temperaturat 40 gradë. Çfarë tregon kjo? Urrejtjen e qytetarëve ndaj Kryebashkiakut”, tha Balliu.

Ai tha se nëse opozita nuk qëndron përballë vjedhjeve të pushtetit actual, atëherë bëhemi palë me këtë pushtet që vjedh.

“Kjo protestë ka bërë transparencën e plotë për çdo qytetar, ka treguar se Bashkia e Tiranës është më e korruptuara jo në Shqipëri, por në Europë.

Protestat do të vijnë duke u përshkallëzuar, do të kemi protesta kombëtare. Ne nuk tërhiqemi derisa ti shkojmë deri në fund.

E patë shkrimin te Der Spiegel, atje tregohet si u ndërtua narko-shteti i parë në Europë, dhe këtu po heshtet. Në Shqipëri ndodh e kundërta, i bëhet analizë opozitës dhe jo qeverisë”, tha Balliu.

Ai tha se rruga e vetme është bashkimi i të gjithë shqiptarëve te kutia e votimit për të larguar Edi Ramën. Më këtë kuadër, Balliu i bëri thirrje edhe diasporës që të bashkohet me opozitën.