Sudan/ Rreth 388 persona kanë vdekur nga kolera

Gjashtë persona vdiqën nga kolera në Sudan gjatë fundjavës, duke e çuar numrin e vdekjeve nga sëmundja në të paktën 388 në dy muajt e fundit.

Sipas të dhënave të Ministrisë sudaneze të Shëndetësisë, rreth 13 mijë persona janë prekur nga kolera në dy muajt e fundit, ndërsa gjatë fundjavës janë regjistruar 400 raste të reja.

Në deklaratë thuhet se kolera po përhapet në zonat e prekura nga përmbytjet e fundit, veçanërisht në Sudanin lindor, ku miliona banorë të zhvendosur nga lufta janë strehuar. Theksohet se kolera është zbuluar në 10 nga 18 provincat e Sudanit dhe se provincat lindore Kasala dhe Al-Kadarif janë më të prekurat.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kolera është një sëmundje shumë ngjitëse që shkakton diarre dhe dehidrim të rëndë, që mund të çojë në vdekje brenda disa orësh nëse nuk trajtohet dhe transmetohet përmes përdorimit të ushqimit ose ujit të kontaminuar.

Epidemia e mëparshme e madhe e kolerës në Sudan ishte në vitin 2017, kur të paktën 700 njerëz vdiqën dhe rreth 22,000 u sëmurën nga sëmundja në dy muaj.

Përplasjet midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Reagimit të Shpejtë kanë vazhduar në Sudan prej 17 muajsh.