Tirana Bank në mbështetje të të rinjve, inovacionit dhe biznesit të gjelbër. Njihuni me një histori suksesi nga veriu i Shqipërisë

Tirana Bank vazhdon të mbështesë të rinjtë dhe idetë e tyre inovatore, që kanë të bëjnë me transformimin e ekonomisë lokale dhe ruajtjen e mjedisit. Një shembull i qartë i këtij angazhimi është investimi i saj në “Fermën e Mjedrave”, një projekt inovativ në rajonin verior, mbështetur në kuadër të Konkursit të Bizneseve të Gjelbra. 

Tirana Bank e përkrah këtë konkurs të organizuar nga Partnerët për Shqipëri prej tre vitesh tashmë, në përputhje të plotë me dy shtyllat e saj të Përgjegjësisë Sociale – Edukim dhe Mjedis. 
Konkursi i Bizneseve të Gjelbra ka si qëllim zhvillimin e ideve të qëndrueshme që kontribuojnë në ruajtjen e burimeve natyrore dhe rigjallërimin e traditave prodhuese.

Në vitin 2023, Tirana Bank financoi projektin fitues “Mjedrat e Danjës,” i cili u prezantua nga Sentiljana Marku, fermerja e parë që kultivon mjedra në Bashkinë e Vaut të Dejës. 
Projekti u vlerësua për impaktin pozitiv në ruajtjen e biodiversitetit dhe për potencialin që ka në rritjen ekonomike lokale. 

Me mbjelljen e mjedrës për herë të parë në rajonin e veriut, Tirana Bank ka ndihmuar në nxitjen e një modeli të ri prodhimi, duke ofruar mundësi punësimi për banorët lokalë, veçanërisht për gratë dhe grupet më pak të favorizuara.

Falë mbështetjes financiare dhe teknike të ofruar nga Tirana Bank, Sentiljana pati mundësi të investonte në përmirësimin e proceseve të fermës së saj, duke blerë pajisje moderne që lehtësojnë prodhimin dhe përpunimin e mjedrave. 

E emocionuar që për së dyti vit radhazi ideja e saj mbështetet nga Tirana Bank, gjatë ceremonisë së shpalljes së fituesve, ajo u shpreh:

“Granti që përfitova nga Tirana Bank më dha mundësinë të realizoja ëndrrën time. Pa këtë mbështetje, nuk do të kisha arritur të zgjeroja fermën dhe të përmirësoja cilësinë e prodhimit. Tani, jo vetëm që kam mundësuar punësimin e banorëve të zonës, por edhe kam kontribuar në ruajtjen e biodiversitetit të rajonit.”

Pasi fitoi grantin e parë, Sentiljana Marku u rikthye në vend me një vizion të qartë për të zgjeruar  fermën e saj. 
Tashmë, me mbështetjen e dytë nga Tirana Bank, ajo synon të zgjerojë proceset operacionale të fermës, të rrisë numrin e punonjësve dhe të fuqizojë më tej ekonominë lokale.

Përveç rritjes së numrit të punonjësve sezonalë, produkti tashmë është certifikuar si “Organic,” duke garantuar cilësinë dhe qendrueshmërinë e prodhimit. 

Ky sukses i “Fermës së Mjedrave” tregon qartë partneritetin strategjik të Tirana Bank me të rinjtë vizionarë të cilët kërkojnë të sjellin ndryshim real për komunitetin e tyre, sikurse punën e saj në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit dhe ekonomisë shqiptare.