‘17 prokurorë dhe gjyqtarë të SPAK në dosjen e Encrochat. Irena Gjoka u filmua duke kërkuar 500 mijë euro’

Gjatë konferencës për shtyp, Argita Malltezi bëri të ditur se sipas burimeve joformale, të paktën 17 prokurorë dhe gjykatës të strukturës së posaçme janë në dosjen e Encrochat.

Ajo tha se po ashtu ka një filmim të gjykatëses Irena Gjoka duke kërkuar 500 mijë euro.

“Nga burime joformale dhe të pakonfirmuara, çka do të thotë se nuk e kam parë me sytë e mi. Ajo që dihet nga të gjithë, besoj edhe nga gazetarët, gjyqtarë dhe prokurorë të SPAK, 17 veta rezutojnë në dosjen e Encrochat të përfshirë. 17 veta nga gjyqësori special, përveç të tjerëve.

Pyetja që duhet të bëni është pse nuk del kjo gjë?

Gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka pretendohet se gjithashtu është në një video, a është e vërtetë, nuk e di, mua më thonë që është në një video të marrë nga një aparat celular i një gazetari të larguar nga Shqipëria, në të cilin ajo rezulton e filmuar duke biseduar me një ish-eksponent të Partisë Socialiste duke negociuar për tarifën që i kërkon prej 500 mijë euro për të mos e futur në grup të strukturuar kriminal.

Duhet të na thotë SPAK nëse është apo jo e vërtetë kjo.

Fakt është se SPAK që e kontrollin gjyqësorin e posaçëm nëpërmjet ligjit. Kontrolli i gjyqësorit e minon totalisht pavarësinë e tij,” tha Malltezi.