Hoti: Rritja e akcizës së duhanit, rrit informalitetin e korrupsionin! Politikat e zhvillimit, të shkojnë përtej mandateve qeverisëse

‘Nëse në vend do të ndalohej prodhimi i duhanit, atëherë kjo do të kishte një ndikim në ekonominë e vendit’.

I këtij mendimi është profesori i ekonomisë në Kuwait, Altin Hoti në një intervistë dhënë për ‘Kafe Shqeto’ mëngjesin e kësaj të hënë në Syri Tv.

Sipas Hotit, edhe nëse ndërmerren politika për rritjen e akcizës dhe taksave për duhanin për të parandaluar konsumin e tij në popullatë, jo gjithmonë do të kishte rezultate të pritshme, pasi kjo të përkthehej në rritje të informalitetit dhe korrupsionit.

Për profesorin e ekonomisë, ata që kontrollojnë tregun e duhanit janë më të prirur të marrin më shumë ryshfet, për të lejuar informalitetin. Politikat e zhvillimit duhet të shkojnë përtej mandateve qeverisëse, tha Hoti.

Shteti fiton përmes akcizës, ekonomia jonë është e bazuar në import edhe kur flasim për duhanin. Kemi të bëjmë me një ekonomi bazike, sa i takon prodhimit dtë duhanit, s’kemi prodhim cigareje por prodhim të lëndës së parë. Nëse do të ndalonim prodhimin e duhanit, kjo do të ndikonte në ekonominë e vendit. Baza e të ardhurave është përmes taksave doganore dhe akcizës. Në ekonominë shqiptare, rritja e akzicës dhe taksave s’jep gjithmonë rezultat, por rrit informalitetin dhe masën e korrupsionit.

Kanë mundësi që ata që kontrollojnë tregun e duhanit, të marrin më shumë ryshfet për të lejuar informalitetin. Kërkesa për duhan, është problematike. Nga rritja e çmimit s’e frenojmë konsumin e duhanit. Kur çmimi rritet, konsumi për duhan tenton të ulet. Sa më shumë rrisim çmimin, kontribuojmë në buxhetin e shtetit, por s’e ndalojmë konsumin.

E vetmja hapësirë për politikat që mund të krijohen, janë ato të financimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Dhënia e hapësirave për mospagimin e taksave, që të investonin në përpunimin e duhanit, për të minimizuar eksportin apo edhe rritjen e punësimit. Politikat e zhvillimit duhet të shkojnë përtej mandateve qeverisëse.