Në grackën e autokratit: A ka shpëtim nga ky perversion politik?

Pranvera Shehaj/

Një efekt të dyanshëm, por të ndërlidhur midis dy kaheve të kundërta të politikës, ka forcën ta prodhojë autokracia, më së shumti ajo elektorale, e cila ushtron një tension dhe presion të vazhdueshëm mbi forcën opozitare, ndërsa në kahun e kundërt çliron energji për qeverinë në fuqi dhe autokratin. Dy efektet nuk mund të ekzistojnë pa njëri-tjetrin, duke u ndërthurur në një intrigë politike që i ngjason më së shumti një marrëdhënieje toksike, do të thoshim në gjuhën e brezit tim. Është një grackë intriguese në të cilën ekzistenca e njërit efekt ushqen me oksigjen tjetrin. Pa një forcë opozitare të frustruar, kompleksuar dhe çoroditur deri në përçartje, nuk çlirohet energjia që i duhet autokratit dhe marinës ushtarake të tij të pushtetit për ta ushqyer vazhdimësinë e qeverisjes. Forcën e njërës palë, asaj dominantes, e ushqen jo pafuqia, as pazotësia, por vetëm përçartja dhe zënia në grackë e palës tjetër, e cila pa kuptuar, sillet si e dominuar dhe vepron brenda grackës.

Shenja e parë e mungesës së vigjilencës është të besosh se autokracinë e mban në këmbë vetëm propaganda dhe investimi i saj në manipulimin informativ të masave. Ushqyerja e këtij pohimi është propagandë e qëllimshme në vetvete. Duke besuar verbër në të, forca opozitare merret peng nga perceptimi i gabuar i saj, futet në një vorbull të thellë lufte konfuze për ta zhbërë propagandën, dhe duke dëshiruar zellshëm ta demaskojë atë, e ndjek këmba këmbës më së shumti aty ku ajo gatuhet, në mjetin e manipulimit të masës, në media dhe rrjetin viral social. Rezultati? Opozita gjendet dhe përqendron energjinë e saj në zonën e lojës së preferuar të autokratit, duke refuzuar pa vetëdije të mendojë dhe veprojë përtej grackës së orientimit të aksionit opozitar. 

E vërteta, si përherë, është krejt e tjetërsishme. Autokracinë, më së shumti atë elektorale, si kudo ku ajo ka hedhur rrënjët e saj të helmit masiv shoqëror, e mban në jetë ndërtimi, ushqyerja, dhe perfeksionimi i një mekanizmi të mirëfilltë me disa hallka, të cilin vitet e pushtetit e sofistikojnë dhe konsolidojnë. Propaganda është vetëm një prej hallkave, e përdorur si karrem. Autokratët luajnë përmes saj një lojë perverse të tërheqjes së opozitës, ku argëtimi teksa shohin të dominuarën t‘i ndjekë në lojë, i bën hije veprimtarisë së hallkave të tjera të mekanizmit, të cilat funksionojnë në rehati për arritjen e qëllimit përfundimtar, sigurimit të fitores së radhës dhe ripërtëritjes së pushtetit. 
Kuptuar më thjeshtë në Shqipërinë tonë përmes një pyetjeje: nëse propaganda dhe format e ndryshme dhe intensive të manipulimit dhe dirigjimit të opinionit publik do të mjaftonin për ta mbajtur qeverinë regresive prej dymbëdhjetë vitesh në pushtet, përse janë të nevojshëm spiunët modernë të patronazhimit, reforma territoriale që maskon deri në tjetërsim rezultatet zgjedhore, shitblerja e votës dhe fryrja e tejskajshme e administratës, moslejimi i aleancave parazgjedhore, monopolizimi i institucioneve ligjore dhe asgjësimi i kundërshtarit politik përmes tyre, tradhëtia kombëtare me qëllim përkrahjen nga lobet përtej kufirit? Të gjitha janë gjymtyrë të një bishe mekanike që forcon krahët e saj. 
A ka shpëtim dhe rrugëdalje nga gracka e perversionit politik të mendjes së mbrapshtë të autokratit? 

1.) Në autokraci, opozita edhe kur dhe për sa vepron në terrenin mediatik, ajo kurrë nuk duhet të derdhë nerv dhe grintë në ankesë. Të ankohesh se censurohesh a se vidhesh, se nuk përfillesh e se gënjehesh, nuk ke thënë asgjë të re veçse i ke shërbyer pozicionimit tënd si jo mjaftueshëm i fortë. Viktima ngjall keqardhje, por jo mbështetje sepse qenia njerëzore për natyrë kërkon sigurinë, forcën, dominancën. Andaj, çdo minutë të çmuar të mbulimit edhe të paktë mediatik në autokraci, forcat opozitare duhet ta shfrytëzojnë skajshmërisht për shpërfaqjen e vetes, vlerave, formës dhe forcës që kanë, ofertës, duke hedhur çdo ditë një gur në krijimin e imazhit se si do të ishte jeta e vendit me ta në pushtet. Në autokraci, opozita përballë propagandës, zgjedh të investohet në të qenurin libër i hapur për qytetarët, duke e shpërfillur deri në neveri propagandën.

2.) Mekanizmi i sofistikuar dhe bisha mekanike e autokratit me të gjithë gjymtyrët e përmendur më sipër dobësohet dhe zvenitet deri në shpërbërje përballë frymës së revoltës. Por këtu, një kusht ekzistencial nuk na lejon të delirojmë shumë në mendim. Revolta e zhbën mekanizmin dhe e vret bishën vetëm kur ajo është skajshmërisht radikale, e shtrirë në kohë dhe e pamenaxhueshme me mekanizma ligjorë apo të rendit. Revolta të tilla nuk janë të pakta në historinë e kombeve, ne shqiptarëve përfshirë, por a lindin revolta të tilla si pasojë e manipulimit të moderuar të masave? Vështirë. Ato lindin vetëm si shpërthim i një represioni dhe shtypjeje agresive. Autokracitë nuk bëjnë këtë, ato vegjetojnë në një fasadë demokratike ku mbi gjithçka, ka liri për t’u larguar dhe kaq mjafton për ta shuar zjarrin. Sërish, kjo nuk nënkupton se duhet hequr dorë prej kundërpërgjigjes përmes revoltës, sado pak apo shumë radikale qoftë ajo. Kjo nënkupton vetëm se përqendrimi nuk duhet të jetë vetëm aty.

3.) Në të tillë realitet, forca opozitare del nga gracka e perversionit të autokratit ose duke decentralizuar aksionin e saj në mënyrë të barazpeshuar në secilën gjymtyrë të bishës mekanike, pra në çdo hallkë të mekanizmit që mban në jetë autokratin, ose duke krijuar, shpikur, jetëzuar një mekanizëm të ri, kundërekuivalentin pozitiv të bishës mekanike, i cili të jetë mjaftueshëm i fortë për ta bërë atë ekzistencialin të pavlefshëm. 

Si përkthehet opsioni i parë në realitetin tonë? Një tërësi reagimi kundërpërgjigjës për secilën hallkë të mekanizmit të autokracisë ku patronazhimit i dëshmon forcën për ta demaskuar pa keqardhje, shitblerjes i garanton një formë milicie civile të fshehtë që i përgjigjet denoncimit qytetar në kohë reale, krahëve ligjorë të mekanizmit i përgjigjesh me mosbindje ligjore dhe institucionale, por duke qëndruar brenda insititucioneve deri në krijimin e kaosit dhe kolapsit që mund të zgjidhet vetëm me zmbrapsjen e autokratit, ashtu sikurse nuk njeh asnjë vendim të regjimit autokrat referuar arrestimit të liderit opozitar duke e sfiduar hapur atë. 

Për opsionin e dytë, atë të krijimit të një mekanizmi të ri, të një mekanizmi po ashtu të ri, vështirë se mund t’i përmbledh gjithë dimensionet në këtë shkrim duke e premtuar si temë të vazhdimësisë, ndërsa të shumtë janë ata të investuarit qoftë dhe intelektualisht në këtë drejtim. Për këtë opsion të dytë, zgjedh vetëm të risjell sugjerimin e ndër shumë profileve të tij, arkitektit amerikan Buckminster Fuller: “Kurrë nuk ndryshohen gjërat duke luftuar realitetin ekzistues. Për të ndryshuar diçka, ndërtohet një model (pra mekanizëm) i ri që e bën modelin (mekanizmin) ekzistues të vjetëruar!” Autokracitë, koha i forcon po aq sa i kthen në relike.

Për të dalë nga gracka e një mendjeje politikisht perverse, duhet e kundërta, një mendje e shëndoshë, vigjilente, e kthjellët, të cilën perversiteti i autokratit jo vetëm nuk e çorienton, por përkundrazi, e sheh thjesht si rast të rëndomtë patologjik, subjekt vetëm i psikoanalizës. Të tilla mendje të kthjellta, mes demokratësh, e di, ka shumë.

Pranvera Shehaj - Artikull i shkruar në kuadër të “Laboratorit të Ideve”, Departamenti Brain Gain, Partia Demokratike