‘Shteti Bektashi’/ Berisha-besimtarëve: Miqtë e mi bektashinj kudo që jeni, nuk e ka për ju! E ka për veten e tij, prandaj kujdes

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha mbrëmjen e sotme gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar te ‘Rruga e Shpresës’ iu është drejtuar besimtarëve bektashinj dhe qytetarëve shqiptarë. Në përshëndetjen e tij, Berisha shpreh mirënjohjen për ata qëndrestarë që mbrojnë të drejtat e shqiptarëve dhe për oratorët e lirë që denoncojnë regjimin.

Berisha ka kritikuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke e akuzuar se po përdor fenë bektashiane si një “maskë” për të fshehur lidhjet me krimin dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e mëdha që Shqipëria përballet. Lideri demokrat, Sali Berisha ka paralajmëruar besimtarët që të jenë të kujdesshëm, duke theksuar se veprimet e Ramës nuk janë për ta, por për interesat e tij personale.

Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua kryeministrit Rama për fjalimin e tij në OKB, duke theksuar se ai nuk përmendi asgjë për “Putinin e madh dhe të vogël” dhe duke e krahasuar atë me liderë autokratë si ata të Taxhikistanit dhe Venezuelës.

Berisha gjatë fjalimit në protestën maratonë tha se, Rama po vepron vetëm për të ruajtur pushtetin e tij dhe interesat mafioze, duke e quajtur Shqipërinë një “narkoshtet”. Berisha theksoi se në Shqipëri, shteti ligjor dhe ndarja e pushteteve janë shkatërruar, duke i përqendruar të gjitha pushtetet në duart e Ramës.

Sipas Berishës, shpresa e fundit për ndryshim janë opozitarët e vërtetë, dhe ai bën thirrje për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër Ramës, të cilin e cilëson si armikun e vërtetë të kombit shqiptar.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka folur me tonetë ashpra për qeverisjen e Edi Ramës, duke e akuzuar për dështime të mëdha në vend. Ai e ka cilësuar këtë të fundit si njeriun që ka kryer “gjenocid” ndaj shqiptarëve duke nxitur largimin e rreth 40% të popullsisë në 11 vite, dhe për keqësimin e standardit të jetesës përmes vjedhjeve dhe korrupsionit.

Kryedemokrati Sali Berisha tha se, Rama ka zhytur shqiptarët në varfëri, i ka bërë qytetarët me pagat më të ulëta në rajon, ka dëmtuar arsimin dhe ka larguar të rinjtë. Berisha ka kritikuar gjithashtu Ramën për përfshirje në komplote kundër Kosovës, në bashkëpunim me Aleksandër Vuçiç.

Lideri opozitar, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim kundër qeverisë, duke kërkuar një betejë të pandalshme për krijimin e një qeverie teknike që të sigurojë zgjedhje të lira.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të thellë, për ju qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur, misionare dhe misionarë të kauzës së dejtë të shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të parlamentit të fjalës së lirë, të cilët përcjellin çdo natë të vërtetat tek shqiptarët, denoncojnë dhe demaskojnë regjimin e narkoshtetit që sillet me Shqipërinë e shqiptarët si një pushtues i egër, si një armik i egër i vlerave themelore të një shoqërie të lirë, votës së lirë, shtetit ligjor.

Të dashur miq!

Edi Rama këto kohë për të mundur të maskojë lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, për të maskuar vjedhjet e mëdha të shqiptarëve, për të maskuar zbrazjen e Shqipërisë, vendosi si maskë kaukën e shenjtë të Bektashiut, në të cilën fle shpirti i Baba Aliut.

Me këtë rast garantoj miqtë e mi bektashinj kudo që janë, se nuk e ka për ata, por e ka për veten e tij, prandaj kujdes.

E ka për sulltanatin e Surrelit.

E ka të largojë mendjen e qytetarëve nga të zezat që shpërthejnë çdo ditë në këtë vend, nga mashtrimet, nga qëndrimet anti shqiptare.

Të dashur miq! 
Nuk tha një fjalë në OKB as për Putinin e madh as për Putinin e vogël.
Nuk shqipëroi një fjalë, por foli aty njëlloj si diktatori i Taxhikistanit, si diktatori i Venezuelës.
Foli pra, si soji i autokratëve, i aftë të thotë çdo gjë dhe të bëjë gjithçka, vetëm për të ruajtur, pushtetin dhe interesat e tij mafioze.

Të dashur miq! 
Asnjë vend në botë nuk mund të pranojë një narkoshtet dhe kryetarin e tij Edi Rama.
Në Europë, Shqipëria është i vetmi narkoshtet.
Në Shqipëri, shteti ligjor është zëvendësuar me kodin e mafias. 
Në Shqipëri, ndarja e pushteteve është zëvendësuar në përqendrimin e të gjitha pushteteve në një dorë.
Në Shqipëri, institucionet janë kukulla të Edi Ramës. Ndaj dhe shpresa e vërtetë, shpresa e fundit janë demokratet dhe demokratët, janë opozitaret dhe opozitarët.
Janë opozitarët e vërtetë dhe jo opozitarët e opozitës, të cilët sillen rreth godinës së kryeministrisë me shpresë se Rama do të ju hedhë ndonjë kockë dhe gjithë ditën, natën, kalojnë nga studio në studio, duke sulmuar si shpifarak opozitën.
Sot është koha për mbarë shqiptarët të bashkohen, të bashkohen të gjithë ata të cilët konsiderojnë Edi Ramën armik të vërtetë të qenies shqiptare.

Njeriu që kreu gjenocid dhe largoi rreth 40% të shqiptarëve në 11 vite. 
Njeriu që me vjedhjet e tij, i zhyti shqiptarët çdo vit e më thellë në varfëri.
Njeriu që me vjedhjet e tij, i bëri shqiptarët nga qytetarët më të mirë paguar në rajon, në qytetarët me rrogat më të ulëta në rajon. 
Njeriu që dënoi qindra e mijëra të rinj të zonave rurale me mesatare, vetëm e vetëm të largohen jashtë shtetit.
Njeriu që rrënoi arsimin me shpejtësi të rrufeshme, duke siguruar rënien më të madhe në botë me 68 pikë, sa asnjë vend tjetër i planetit në 8 vite, të nxënësve tanë në matematikë.
Rekordet e këqija, rekordet e zeza janë ato me të cilat garon e paraqitet sot Shqipëria, kurse derdimeni, balozi i krimit, kreu i meduzës, thur komplote të tjera në OKB kundër Kosovës me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç.
Ndaj dhe ftoj qytetarët të ngrihemi në betejë të pandalshme, betejë pakthim gjer në krijimin e qeverisë teknike, për zgjedhje të lira.
Është radha jonë, është fitorja jonë.
Të gjithë së bashku drejt fitores. 
Është radha jonë.
Ndryshim, ndryshim dhe vetëm ndryshim.
O sot, o kurrë.
Fitore, fitore, fitore!