Fruti i pemës së helmatisur është i helmuar!

Nga Oerd Bylykbashi

Qeveria duhet t’u kthejë menjëhere 6.541 profesionistëve (avokatë, dentistë, kontabilistë, arkitektë, mjekë, inxhinierë, etj) 5 milion eurot qe ua mori në shkelje të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë me vendimin nr. 178 datë 16.09.2024 përpjekjen e Qeverisë për të marrë kohë që të mos zbatojë vendimin e Gjykatës.

Qeveria pretendoi se vendimi nr. 52 datë 27.06.2024 i Gjykatës që shpalli ligjin si antikushtetues ishte i paqartë dhe nuk sqaronte çfarë duhej bërë me paratë (5 milion eurot) e atyre 6.541 profesionistëve që paguan këstin e parë para se Gjykata të shpallte vendimin.

Këta 6.541 profesionistë, duke zbatuar ligjin antikushtetues, në mirëbesim apo nën frikën e kërcënimit me gjoba, parapaguan këstin e parë të tatimit vjetor të 2024.

Dhjetëramijëra të tjerë nuk e paguan këstin e parë në pritje të vendimit të Gjykatës, duke rrezikuar gjobën nga Tatimet. Edhe pse sot norma ligjore që i penalizoi është shpallur antikushtetuese dhe ata përfituan duke mos parapaguar këstin e parë, ata rezultojnë debitorë dhe nuk marrin dot as çertifikata nga sistemi tatimor.

Qeveria pretendon se efektet ligjore (5 milion eurot) që ka prodhuar ligji deri në momentin që hyri në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, janë kushtetuese dhe ato para nuk duhen kthyer mbrapsh tek tatimpaguesit që i paguan në afat.

Kjo sjell një situatë absurdi dhe antikushtetuese: nëse mbledhja e parave deri kur hyri në fuqi vendimi i Gjykatës ka qenë i ligjshëm, ata që nuk kanë paguar këstin e parë qenkan ligjërisht debitorë dhe duhet ta parapaguajnë atë këst. Pra Qeveria paska të drejtë jo vetëm t’ua marrë ato para atyre që nuk kanë paguar, por edhe t’i gjobisë. Kjo është antikushtetuese.

Doktrina juridike përmban një koncept: “Fruti i pemës së helmatisur është gjithashtu i helmuar”.

Pra neni që i taksonte profesionistët e që u shpall antikushtetues, është pema e helmuar. Ndaj, vjelja me parapagim e këstit (që përbën vetëm një pjesë të tatimit vjetor për 2024) për ata që nuk e paguan këstin në afat, do to ishte antikushtetuese, si të vilje një mollë të helmatisur.

Por me të njëjtën doktrinë, edhe fruti i vjelë nga dega e helmatisur e nenit antikushtetues, deri kur Gjykata dha verdiktin, pra ato 5 milion euro të parapaguara nga nje pjesë pakicë e këtyre dhjetëramijëra profesionistëve tatimpagues, është frut i helmatisur nga antikushtetutshmëria e nenit që u shfuqizua.

Ai nen nuk u bë antikushtetues kur mori vendim Gjykata. I tillë ishte që kur u miratua nga mazhoranca socialiste nën diktatin e Edi Ramës. Ndaj edhe fruti që voli Qeveria dhe e futi në koshin e saj ishte mollë e helmuar me antikushtetuetshmëri.

Qeveria, duke mbajtur ato para dhe duke mos ua mbledhur më dot të tjerëve, krijon gjithashtu pabarazi mes 6.541 subjekteve që paguan me ata që nuk paguan. Kjo është një antikushtetutshmëri e re që krijon Qeveria.

Ato para që u paguan, janë vetëm kësti i parë PARAPAGIM për tatimin VJETOR të vitit tatimor 2024.

Është logjike që askush nuk di sa fitim do të kenë subjektet tatimore në një vit tatimor (1 janar deri më 31 dhjetor), ndaj tatimi përllogaritjet me hamëndje, bazuar në fitimin e vitit paraardhës.

Bazuar mbi fitimin e 2023, me pabesi antikushtese, Qeveria ua llogariti tatimin VJETOR për 2024, dhe i caktoi këstet e parapagimit.

Fruti i PLOTË dhe i maturuar tatimor nuk është mujor, tremujor apo gjashtëmujor; ai është VJETOR. Cdo këst i veçantë. nuk përbën frut më vete por vetëm një “çapë të mollës” tatimore vjetore. Pra një këst nuk përbën efektin e plotë të ligjit por vetëm një pjesë të tij.

Për më tepër, çdo këst që paguhet në 2024 mbi bazën e 2023 është parapagim i diçkaje që nuk është maturuar ende. Tatimi vjetor për 2024 maturohet më 31 dhjetor 2024. Vetëm kur dorëzohet deklarata tatimore ne fillim të 2025 dihet me saktësi fruti i 2024 që duhet vjelur.

Pra deri me 31 dhjetor 2024, çdo efekt i ligjit është paraprak, i pamaturuar, pra i PAEZAURUAR. Vjelja e një kësti, pra e një pjese, nuk ezauron efektin e ligjit, pra TATIMIN VJETOR. Aq më shumë, kur ky efekt nuk është maturuar, ai nuk mund të ezaurohet.

Neni 76, pika 7, gërma “c” e ligjit nr. 8577/2000 për Gjykatën Kushtetuese përcakton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka fuqi prapavepruese:

“Ndaj pasojave ende të paezauruara të ligjit apo aktit normativ të shfuqizuar”.

Duke qenë se detyrimi vjetor për 2024 nuk është maturuar ende por bazohet në hipotezën e 2023, për rrjedhojë nuk mund të quhet i si efekt i ezauruar i ligjit. Si i tillë, edhe kësti i parë i parapaguar nuk përbën ezaurim të detyrimit por është vetëm një pjesë hipotetike të detyrimit të plotë. Pra vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka fuqi papravepruese mbi këstet e parapaguara nga 6.541 profesionistët dhe ato 5 milonë euro të vjela në kundërshtim me Kushtetutën, u duhen kthyer atyre pa vonesë. Ato janë “çapa e helmuar” e një molle të helmatisur.

Qeveria nuk duhet të spërdridhet më e të humbasl kohë. Neni 81, pika 2 e ligjit të Gjykatës Kushtetuese detyron Qeverinë me zbatimin e vendimeve te asaj Gjykate. Në këtë rast, të kthejë paratë e vjelura në mënyrë antikushtetuese. Pikë!