Edi Rama dhe ideja e enklavave fetare: Një kthesë e rrezikshme për rajonin

Nga Blerim Gjeladini

Propozimi i kryeministrit Edi Rama për krijimin e një enklave fetare në Tiranë, kushtuar sektit Shiit ose Bektashi, është një goditje e papritur që ngre shumë pyetje në lidhje me synimet dhe ndikimin e tij në çështjet e rajonit. Ky propozim nuk duket të jetë thjesht një ide e pafajshme, por një argument i cili përforcon kërkesat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe të Serbisë për enklavat serbe në Kosovë, veçanërisht ato me baza fetare.

Edi Rama ka treguar më parë prirje për t'u përfshirë në çështjet e Kosovës, dhe duket qartë që këtë herë, ai po shërben sërish interesat e Vuçiçit. Pasi dështuan përpjekjet për një marrëveshje të shkëmbimit të territoreve dhe projektet e tjera si "Ballkani i Hapur," Rama duket se ka gjetur një mënyrë të re për të promovuar qëllimet e Serbisë. Në intervistën e tij të fundit për "The New York Times," Rama prezantoi idenë e enklavave fetare si një koncept inovativ për rajonin, por në fakt, ky është një plan i mirë-dizajnuar dhe i orkestruar nga Beogradi.

Kjo ide është një tjetër hap i rrezikshëm që i shërben vetëm interesave të Serbisë dhe aspiratave të saj në Kosovë. Historia na ka mësuar se çdo lëvizje drejt ndarjes etnike apo fetare mund të sjellë destabilizim, konflikt dhe rrezikun e ndarjeve të mëtejshme. Kosova ka luftuar gjatë për të ruajtur integritetin e saj territorial dhe për të ndërtuar një shoqëri të përbashkët, ku të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo fetare, të kenë të drejta të barabarta dhe liri.

Edi Rama dhe këshilltarët e tij mund të vazhdojnë të promovojnë idetë që i përshtaten Beogradit, por është e qartë se Kosova nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë enklava të tilla. Nuk është çështje diskutimi, por një fakt që shqiptarët e Kosovës janë të vendosur në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të tyre.

Kjo ide e enklavave fetare, qoftë ajo në Tiranë apo kudo tjetër, është një hap pas dhe një strategji që, në vend që të sjellë stabilitet dhe bashkëpunim në rajon, vetëm sa forcon ndasitë dhe shërben si një mjet propagandistik për Beogradin. Kosova dhe populli i saj nuk do të bien pre e këtyre skemave të manipuluara dhe do të vazhdojnë të mbrojnë atë që kanë arritur me sakrificë dhe vendosmëri.

Në fund të ditës, çdo përpjekje për të imponuar ide të tilla është e destinuar të dështojë, sepse Kosova mbetet një dhe e pandarë, me një të ardhme të ndritur që e pret përpara.