Presion i madh pas shkarkimit të De Rossit/ Jep dorëheqjen drejtoresha e Romës, u kërcënua me vdekje

Nuk ka qetësi te Roma pas shkarkimit të papritur të legjendës Daniele De Rossi nga posti i trajnerit.

Tifozët e Romës janë revoltuar shumë dhe kjo ka sjellë pasoja të reja te klubi italian.

Drejtoresha ekzekutive e Romës, Lina Souloukou, ka dhënë dorëheqjen me efekt të menjëhershëm, konfirmon klubi.

Souloukou u vendos nën mbrojtjen e policisë së bashku me fëmijët e saj pasi mori kërcënime me vdekje pas shkarkimit të ish-trajnerit të Romës, Daniele De Rossi.

Roma shkarkoi legjendën e klubit De Rossi të mërkurën, më 18 shtator, duke e zëvendësuar atë me ish-trajnerin e Torinos, Veronës dhe Genoas, Ivan Juric.

Daniele De Rossi udhëhoqi Romën në 14 fitore dhe 9 barazime në 30 ndeshjet e tij me klubin.

Edhe sot në stadiumin “Olimpico” në orën 18:00, ku Roma pret Udinesen, priten protesta të mëdha nga tifozët e Romës.