Boks/ Dubois është kampioni i ri i Botës në IBF, mund me KO Anthony Joshua

Bota e boksit sa i takon peshave të rënda ka një kampion të ri. Boksieri britanik Daniel Dubois është kampioni i ri i botës në peshën e rëndë në kategorinë IBF.

Në stadiumin “Wembley” të Londrës, ai mundi me KO në raundin e pestë patriotin e tij Anthony Joshua, në një sfidë pa histori.

Një rezultat që është konsideruar disi surprizë, pasi Joshua ka qenë dy herë kampion bote dhe konsiderohej favorit, por kjo nuk mjaftoi.

Madje në 5 raunde, Joshua u rrëzua 4 herë në tapet, duke mos qenë në asnjë moment të rivalizojë.

Në momentin që ra në tapet për të katërtën herë, ai nuk ishte më në gjendje të ngrihej, çka e bëri edhe më spektakolare fitoren e Dubois, që tashmë mban titullin kampion që ishte vakant (titulli IBF iu hoq Usyk dy muaj më parë).

Që në raundin e parë u pa qartë se Dubois (22 fitore e 2 humbje) do të triumfonte, kur hodhi në tapet Joshua për herë të parë.

Ky i fundit nuk ishte në gjendje të mbrohej e të reagonte, duke mos arritur dot të tregojë vlerat e tij në ring.

Joshua (28 fitore e 4 humbje) përpiqet të japë shenja reagimi por e pëson edhe në raundin e dytë e kështu me radhë.

Ai thuajse rrëzohet në çdo raund, duke mos qenë në gjendje të qëndrojë në këmbë deri në momentin që humbet me KO.

Një triumf spektakolar që ngin në majë tashmë boksierin britanik Dubois që do të mbajë gjerdanin e kampionit të botës, në pritje të kundërshtarit të radhës.