Partizani-Tirana, ‘paqe’ në ‘Air Albania’
Në “Air Albania” u luajt derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, i vlefshëm për javën e 6-të të Superligës, shkruan Syri.net.
Ishte padyshim një përballje e zjarrtë, ashtu siç pritej, por fitues nuk pati.
Partizani e Tirana e kanë mbyllur në barazimin “e bardhë”, pa gola, supersfidën, por dhuruan jo pak “show” e lojë të bukur, për 12 mijë tifozët e pranishëm në arenën e “Air Albania”.
Të shumta ishin rastet nga të dyja skuadrat për të gjetur golin në këtë sfidë, por më kot, pasi “gardianët” e të dyja skuadrave, Pano Qirko (Partizani) e Gentian Selmani (Tirana) ishin në super formë, duke mbajtur të paprekura rrjetat e skuadrave të tyre.
Falë këtij rezultati, Partizani ngjitet në kuotën e 9 pikëve, dhe pozicionohet në vendin e tretë, ndërsa Tirana siguron barazimin e gjashtë, në gjashtë javët e para të kampionatit.