SYRI TV/ Tragjedia ku nënë e bir u dogjën në banesë, Bashkia Has i jep 1 milionë lekë familjes Lushi

Bashkia e Hasit ka dhënë 1 milion lekë të rinj familjes së viktimave Lushi, ku dy ditë më parë, nënë e bir humbën jetën pasi u dogjën nga zjarri që ra në banesë. Kryebashkiaku Miftar Dauti tha se, përveç fondit të akorduar, do të marrin përsipër shpenzimet për ceremoninë mortore të viktimave. Ai u shpreh se ishte një ngjarje tragjike, ndërsa shtoi se shërbimi zjarrfikës punoi me të gjitha mjetet e nevojshme, por ishte e pamundur ndërhyrja në kohë për të shpëtuar Rexhë dhe Time Lushi.

SYRI TV

Dy ditë pas tragjedisë në fshatin Nikoliq, ku humbën jetën nga zjarri në banesë nënë e bir, Bashkia e Hasit, në koordinim me emergjencat civile, ndihmon financiarisht familjen e viktimave Lushi. Kryebashkiaku opozitar i Bashkisë Has, Miftar Dauti, u shpreh se bashkia ka akorduar 1 milion lekë të rinj për familjarët e dy viktimave, si edhe do të paguajë shpenzimet për ceremoninë mortore. Numri një i qytetit të Hasit shprehu ngushëllime familjes Lushi, ndërsa tha se zjarrfikësja u mundua me të gjitha mjetet e nevojshme për t'i nxjerrë në kohë nënë e bir, por ishte e pamundur. Dyshimet e para, tha Dauti, janë që zjarrin mund ta ketë shkaktuar një shkëndijë elektrike.

Më 19 shtator, nënë e bir humbën jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët në fshatin Nikoliq të Hasit. Viktima mbetën Rexhë dhe Time Lushi. Rexha arriti të shpëtonte bashkëshorten e tij duke e nxjerrë nga banesa, por më pas u kthye sërish dhe hyri mes flakëve për të shpëtuar nënën e tij, Time, por mbetën të dy brenda duke mos dalë dot më.