Harrisi dhe Walz-i japin më pak intervista se çdo kandidat në historinë moderne

Sipas një analize të fundit, Kamala Harris dhe Tim Walz po japin më pak intervista se çdo kandidat tjetër presidencial në historinë moderne të SHBA-së. Që nga hyrja në garë në korrik, Harris ka marrë pjesë vetëm në tri intervista me media jopartiake, raporton Axios. Kandidatët demokratë, në total, kanë dhënë vetëm shtatë intervista, krahasuar me më shumë se 70 të dhëna nga homologët e tyre republikanë, Donald Trump dhe J.D. Vance.

Burime pranë shtabit elektoral të Harrisit sugjerojnë se kjo është një lëvizje strategjike për të shmangur kritikat e ashpra të medias, veçanërisht me zgjedhjet vetëm disa javë larg. Nga ana tjetër, Trump e Vance, pretendentët republikanë, kanë qenë shumë më të arritshëm, duke dhënë 73 intervista në total, shumica e tyre nga Vance, ndërsa Trump-i ka dhënë 14.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i cili më parë shihej si miqësor ndaj mediave, ka kufizuar gjithashtu daljet e tij në shtyp. Që kur u zgjodh si kandidati i Harrisit, Walz ka dhënë vetëm katër intervista në më shumë se shtatë javë. Kjo ka tërhequr kritika nga kundërshtarët, duke përfshirë grupin pro-Trump MAGA Inc., i cili akuzoi Harrisin se "i shmangej shtypit" për të shmangur momentet e sikletshme.

Shtabi elektoral i Harrisit pritet të rregullojë strategjinë e saj së shpejti, me plane për t'u angazhuar më shumë me mediat lokale dhe kombëtare, podkastet, emisionet radiofonike dhe "talk show"-t, sipas "The New York Times".

Brian Fallon, një këshilltar i lartë i fushatës së Harrisit, la të kuptohet se angazhimet e ardhshme do t'u ngjajnë aktiviteteve të saj në fillim të vitit, përpara se ajo të zëvendësonte Joe Biden-in si kandidat i demokratëve.

Kritikët argumentojnë se Harrisi ka marrë një mbulim të favorshëm mediatik duke shmangur intervistat më të ashpra, me Trump-in që akuzon shtypin se i ka dhënë asaj një "trajtim special". Megjithëse shtabi elektoral i Harrisit mbron ndërveprimet e saj mediatike, qasja e kufizuar vazhdon të ngrejë pyetje në lidhje me strategjinë e saj me afrimin e zgjedhjeve. / The Telegraph - Syri.net