Rusia rrëzon planin e Zelensky-t për paqe: U krijua në zyrat e Perëndimit

Rusia hodhi poshtë të planin e paqes të përgatitur nga Volodymyr Zelensky me arsyetimin se është krijuar në zyrat e Perëndimit dhe se në vetvete nuk ka si qëllim dhënien fund të luftës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u tha gazetarëve se plani dukej si një lojë egoiste nga lideri ukrainas, të cilin Moska e akuzon se po përpiqet të tërheqë Perëndimin në një luftë të plotë kundër Rusisë.

Ajo përsëriti pikëpamjen e Moskës se Perëndimi duhet të ndalojë financimin dhe furnizimin me armë për Kievin dhe tha se çdo iniciativë që supozohet se synon arritjen e një zgjidhjeje paqësore që nuk përfshin Rusinë është e pakuptimtë.

"Sapo ata të ndalojnë furnizimin me armë për regjimin e Kievit dhe të sponsorizojnë aktivitetet terroriste, atëherë kjo mund të perceptohet si një sinjal për zgjidhje politike dhe diplomatike. Gjithçka tjetër është ose forcimi i lidhjeve anti-ruse me Perëndimin, ose një përpjekje për të tërhequr anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar në skemat e tyre të pamatura, ose elementë të programit aktual elektoral të Shtëpisë së Bardhë”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova tha veçmas se dhënia e kartës së bardhë për Kievin për të kryer sulme me rreze të gjatë thellë brenda Rusisë do të ndryshonte natyrën e konfliktit në Ukrainë.

"Dëshirojmë t'i kujtojmë skifterët në të dy anët e Atlantikut... Ata po luajnë me zjarrin dhe kanë humbur të gjithë ndjenjën e realitetit. Shkalla e konfliktit që filloi për shkak të Perëndimit rrezikon të bëhet krejtësisht e ndryshme, gjë që mund të sjellë pasoja të rrezikshme për të gjithë botën".

Sakaq, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov theksoi se, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin parasysh paralajmërimet e Moskës për rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm rreth konfliktit në Ukrainë.

Duke komentuar mundësinë e një takimi midis Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ai tha se nuk do të ketë asnjë takim pasi palët nuk kanë "asgjë për të biseduar".