Ancelotti: Tifozëve të Realit u pëlqen futbolli ‘Rok and Roll’, Endrick...

Në daljen e tij në konferencë për shtypin para ndeshjes me Espanyolin, Carlo Ancelotti mbrojti lojën e skuadrës së tij, aq e kritikuar ditët e fundit.

"Nuk më shqetëson kur njerëzit thonë se Reali luan keq, sepse i shoh tifozët e mi të kënaqur me atë që po bëjmë. Mendoj se tifozët e Real Madridit janë mësuar me futbollin “Rock and Roll” dhe mbi të gjitha u pëlqen. Më shumë fitore sesa të luajmë mirë, shpresoj që të dyja gjërat të arrihen”.

Ekuilibri në lojë: “Ekuilibri vjen me një punë kolektive, që mund ta bëj me dy sulmues ose me tre. Mbaj mend që Champions League në Paris po luhej me tre sulmues dhe ne kishim një ekuilibër perfekt. Shtimi i një mesfushori të ri nuk do të thotë se keni më shumë ekuilibër. Debati mund të jetë roli që bën Bellingham”. 

Futboll i bukur: "Për mua, futbolli i bukur varet shumë nga karakteristikat e lojtarëve që kam. Gjithmonë kam thënë se futbolli i bukur ka shumë aspekte. Kështu mendoj unë dhe të gjithë kanë mendimin e tyre. Më pëlqen të shoh ekipin tim duke u mbrojtur, duke mos humbur kohë në posedim dhe duke qenë vertikal. Është e vështirë të përkufizosh se çfarë është futbolli i bukur.

Endrick dhe roli i tij: “Endrick do të jetë titullar në një nga ndeshjet e ardhshme dhe e ardhmja e tij duket sikur do të jetë titullar në shumë ndeshje. Ai është një djalë shumë modest që flet pak dhe punon shumë dhe kjo më pëlqen."