Manjani: Për fat të keq, ka shumë shqiptarë që bëjnë burg për hesap të dikujt tjetër

Ylli Manjani ka reaguar me një status në facebook në lidhje me situatën e pazakontë që ndodh rëndomtë në sistemin gjyqësor në vend ku sipas tij ka shumë shqiptarë që bëjnë burg për hesap të dikujt tjetër.

Manjani është shprehur se  njëjti standard gjendet edhe në politikë ku ka njerëz që janë në burg, në vend të shefave të tyre.

Postimi:

Sigurisht që nuk është e drejtë...

*****

Për fat të keq, ka shumë shqiparë që bëjnë burg për hesap të dikujt tjetër.

Kemi dëgjuar që baballarë që kanë marrë përgjegjësinë për krime të djemve të tyre. Kam dëgjuar edhe që vëllai për vëllanë ta këtë bërë këtë gjë. Edhe gra që bënë burg për vajzat e tyre. Njërën e kam takuar në burg madje para disa vitesh...

Ka edhe shqiptarë që bëjnë burg për llogari të bosëve ose shefave të tyre. Gjykatat tona kanë dënuar persona që kanë marrë përsipër krimet e bosëve të tyre.

I njëjti standard gjendet edhe në politikë. Ka njerëz që janë në burg, në vend të shefave të tyre. Fjala vjen Lefter Koka nuk është as nismëtari e as vendimmarrësi i inceneratorëve, por është në burg dhe i mbërthyer mirë madje me akuza që, nëse janë të vërteta, duhet të shkonin më lart, atje tek nismëtarët dhe vendimarrësit e vërtetë.

Drejtorët e bashkisë Tiranë po bëjnë burgun e shefit të tyre. Ata punuan për të mbajtë shefin e tyre në pushtet, pushtet i cili kushton shumë financiarisht si për t'u marrë ashtu edhe për t'u mbajtë. Me çfarë do e mbanin në pushtet Erionin dhe Edin ata me lekët e shtëpive të veta?!

Dakord që përgjegjësia penale është individuale, po si nuk shkon asnjëherë tek individi i duhur?!

As reforma në drejtësi nuk e zgjidhi këtë...

Me moton "koha për ndëshkim, jo për drejtësi", nuk shkohet askund përveç se në autokracinë e bosëve.