Skandali me kryeministrin britanik, fustane luksoze për gruan dhe 40 mijë € bileta për të parë Arsenalin

Kryeministri britanik Keir Starmer po kritikohet pasi mediat kanë publikuar të dhëna se ka pranuar donacione me vlerë mbi 100,000 paund që nga fundi i 2019-ës, më shumë se çdo anëtar tjetër i parlamentit.

Donacionet përfshijnë fustane të stilistëve më të njohur për bashkëshorten e tij, bileta për ndeshje futbolli dhe një koncert të Taylor Swift.

Shumica e këtyre donacioneve, të cilat janë të ligjshme dhe të regjistruara në regjistrat parlamentar, u bënë kur Keir Starmer ishte lideri i Partisë Laburiste në opozitë. Por ai vazhdoi të përfitonte prej tyre pasi mori drejtimin e Downing Street, pas fitores së zgjedhjeve në korrik.

Çështja e donacioneve prej ditësh është në qendër të vëmendjes së mediave, ndërsa Qeveria ka paralajmëruar qytetarët britanikë se do të duhet të “shtrëngojnë xhepat” përballë kufizimeve buxhetore.

Donatori kryesor është Wahid Ali, një anëtar multi-milioner i Dhomës së Lordëve. Shuma totale e dhuratave të tij shkon në 39,122 £, për akomodim, “rroba pune” me vlerë 16,200 £, si dhe disa palë syze.

Keir Starmer, i cili njihet si tifoz i skuadrës së Arsenalit, ka përfituar edhe bileta të ndeshjeve të futbollit me vlerë mbi 40,000 paund.

Ndërkohë, biletat për koncertin e Taylor Swift, të cilin ai ndoqi me gruan e tij në qershor, kapnin vlerën e rreth 4,000 paund. Gruaja e tij Victoria po ashtu mori mbi 5000 £ rroba nga stilistët dhe kjo dhuratë e Waheed Ali nuk është deklaruar në regjistër nga lideri Laburist.

Shtypi konservator nuk humbi rastin për të kritikuar kryeministrin përballë zbulimeve të fundit. Sakaq, deputeti konservator Kemi Badenoch, kandidati kryesor për udhëheqjen e partisë, e cilësoi hipokrizi sjelljen e Keir Starmer.

Teksa ishte në opozitë, Starmer shpesh akuzonte paraardhësin e tij, të pasurin Rishi Sunak, se nuk kishte kontakt me qytetarët e zakonshëm. I pyetur të hënën në lidhje me biletat e shtrenjta në tribunat VIP për ndeshjet e Arsenalit, kryeministri britanik tha se nuk mund të ulet me tifozët e zakonshëm “për arsye sigurie”.

Kryeministri u pyet për marrëdhënien e tij me klubin e futbollit Arsenal pasi projekti Westminster Accounts i Sky News zbuloi se ai kishte marrë dy herë e gjysmë më shumë dhurata dhe mikpritje se deputeti i ardhshëm.

Starmer thotë se do t’i kushtonte taksapaguesve një pasuri nëse ai nuk do të pranonte biletat falas të Arsenalit.

Por, baronesha Harriet Harman tha se përpjekja e Keir Starmer për të justifikuar dhuratat falas po i bën gjërat më keq.

Harman tha se në vend që të dyfishojë të drejtën e tij për të pranuar pagesa falas, kryeministri duhet të ndryshojë kursin dhe “të heqë qafe çdo shpërqendrim” që mundet.