Putin humbet 70 mijë ushtarë, BBC publikon të dhënat: Shumica e të rënëve, pjesë e trupave vullnetare

Më shumë se 70.000 persona që luftojnë në ushtrinë ruse kanë humbur jetën deri tani në luftimet në Ukrainë.

BBC raporton se pjesa më e madhe e tyre janë civilë, vullnetarë që iu bashkuan forcave të armatosura pas fillimit të luftës.

Çdo ditë, emrat e të vrarëve në Ukrainë, nekrologjitë e tyre dhe fotografitë nga funeralet e tyre publikohen në të gjithë Rusinë në media dhe në rrjetet sociale.

BBC Russian dhe faqja e pavarur e internetit Mediazona i kanë mbledhur këta emra, së bashku me emrat nga burime të tjera të hapura, duke përfshirë raportet zyrtare.

Varret e reja në varreza kanë ndihmuar gjithashtu në dhënien e emrave të ushtarëve të vrarë në Ukrainë – këto zakonisht shënohen me flamuj dhe kurora të dërguara nga ministria e mbrojtjes.

BBC pretendon se ka identifikuar emrat e 70,112 ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë, por numri aktual besohet të jetë dukshëm më i lartë.

Disa familje nuk i ndajnë publikisht detajet e vdekjeve të të afërmve të tyre, ndërsa analiza e edias britanike nuk përfshin emrat që nuk ishin në gjendje t’i kontrollonin, apo vdekjet e milicisë në Donetsk dhe Luhansk të pushtuar nga Rusia në Ukrainën lindore.

Sa për Ukrainën – ajo rrallë komenton shkallën e vdekjeve të saj në fushën e betejës. Në shkurt, presidenti Volodymyr Zelensky, tha se 31,000 ushtarë ukrainas ishin vrarë, por vlerësimet e bazuara në inteligjencën amerikane sugjerojnë humbje më të mëdha.