Von der Leyen-in e presin me lule në Kiev: Jam këtu për të sjellë mbështetjen e Europës

Ndërsa dimri po afron, situata në terrenin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë pritet të bëhet edhe më e vështirë. Kievi ka nevojë për ndihmë dhe Presidentja e Komisionit Europian, Von der Leyen në Kiev, ka udhëtuar mëngjesin e së premtes në kryeqytetin ukrainas.

Von der Leyen ka njoftuar vizitën e saj me anë të një postimi që ka bërë këtë mëngjes në rrjetet sociale, aty ku ka postuar një foto të sajën nga stacioni hekurudhor i Kievit, ndërsa bashkëngjitur shkruan: “Ne do ta ndihmojmë Ukrainën në përpjekjen e saj të guximshme. Unë jam këtu për të diskutuar mbështetjen e Europës. Nga përgatitja e dimrit te mbrojtja”, shkroi Von der Leyen.

 Ndërkohë, i ashpër ishte një ditë më parë reagimi i kryetarit të Dumës ruse, i cili tha se Rusia është gati të shkojë drejt një vendimi ekstrem nëse raketat perëndimore godasin në brendësi të territorit rus.

Ligjvënësi i lartë rus tha se sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë me raketa perëndimore do të çonin në luftë globale me përdorimin e armëve bërthamore dhe se përgjigja e Moskës do të ishte e ashpër me armë më të fuqishme.