1 min heshtje në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani/ PD në zi, deputetët largohen nga Kuvendi

Deputetët e PD janë larguar nga Kuvendi, në nisje të seancës parlamentare të kësaj të enjteje.

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, nisi me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

Largimi i ligjvënësve demokratë, vjen për shkak të shpalljes ditë zie në të gjitha aktivitetet e PD, pas ndarjes nga jeta të ish deputetit Gerti Bogdani, pas një arresti kardiak të mërkurën.

Demokratët njoftuan se të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike më 18 - 19 shtator në të gjithë vendin do të anulohen, po ashtu në të gjitha selitë e PD-së, flamujt do të ulen në gjysmështizë.

Ndërkohë mazhoranca ka vijuar me rendin e ditës, kur një ndër pikat më të rëndësishme është projektligji  për studentët e mjekësisë, “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucione publike të arsimit të lartë”.