NYT: Biperët e Hezbollahut janë prodhuar nga shërbimet sekretet izraelite

Shërbimet sekretet izraelite përdorët një kompani fasadë për të ofruar pajisje komunikimi të pajisura me eksploziv për grupin militant Hezbollah, duke çuar në sulmin vdekjeprurës të kësaj jave, raportoi të mërkurën New York Times.

Mijëra njerëz u plagosën dhe më shumë se 30 u vranë, duke përfshirë katër fëmijë, të martën dhe të mërkurën, pasi biperët, radiot marrëse-dhënëse dhe pajisje të tjera dore të përdorura nga operativët e Hezbollahut shpërthyen njëkohësisht në një sulm të paprecedent në Liban. Izraeli nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përgjegjësinë për operacionin.

New York Times ka raportuar detaje të operacionit izraelit për kontrabandën e bombave të maskuara bazuar në rrëfimet e 12 zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarë të mbrojtjes me njohuri për skemën, të cilët folën me gazetën në kushte anonimiteti.

Raporti u përqendrua në valën e parë të shpërthimeve, që përfshinte biperë me burim nga një kompani hungareze e quajtur B.A.C. Consulting. Firma thuhet se ishte një fasadë për shërbimet sekrete izraelite dhe një nga tri kompanitë e tilla, të cilat u krijuan për të depërtuar në zinxhirin e furnizimit të Hezbollahut.

Pajisjet e dërguara në Liban nëpërmjet ndërmjetësit tajvanez, Gold Apollo, u prodhuan nga oficerët e shërbimit sekret izraelit veçmas nga produktet për klientët e rregullt, thanë burimet. Bateritë e tyre thuhet se ishin të lidhura me PETN, një eksploziv që është përdorur në një numër komplotesh terroriste për shkak se ishte e vështirë për t'u zbuluar gjatë kontrollit të sigurisë.

Sipas NYT-së, dërgesat filluan në verën e vitit 2022 në numër të vogël dhe u përshkallëzuan me shpejtësi pas shkurtit, kur udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah e shtyu organizatën të hiqte dorë nga telefonat celularë. Ai e bëri këtë veprim pas një serie vrasjesh të shënjestruara të liderëve të lëvizjes së tij, duke u thënë mbështetësve se pajisjet më moderne të komunikimit ishin të cenueshme ndaj operacioneve kibernetike izraelite.

"Për Hezbollahun, biperët ishin një masë mbrojtëse, por në Izrael, oficerët e inteligjencës iu referuan biperëve si "butona" që mund të shtypeshin kur koha të dukej e përshtatshme", tha gazeta.

Një numër kalimtarësh të pafajshëm u prekën nga shpërthimet, duke përfshirë Fatima Abdullahun, 9 vjeçe, nga fshati Saraain në Libanin jugor, e cila po i çonte një biper të atit kur ai shpërtheu dhe e vrau.

Raportimet e mëparshme nga disa media sugjeruan se qeveria izraelite i kishte vendosur bombat në gatishmëri për një luftë të madhe me Hezbollahun, por vendosi t'i shpërthejë ato herët për shkak të shqetësimit se plani mund të ekspozohej. / New York Times - Syri.net