SYRI TV/ Thellohet kriza e prodhimit, rriten importet, tkurren eksportet

Thellohet kriza e prodhimit vendas, teksa eksportet e ushqimeve dhe mallrave janë në rënie të lirë, duke i lënë gjithnjë e më shumë terren importeve nga jashtë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet pësuan një rënie me 18 përqind gjatë muajit gusht, ndërsa importet u rritën me 1.9 përqind. Përkthyer në para, Shqipëria humbi vetëm gjatë muajit janar gusht të këtij viti 33 milionë euro nga rënia e eksporteve, ndërsa deficit tregtar midis importeve dhe eksporteve kapi shifra rekord në 460 milionë euro.

SYRI TV

Shqipëria vijon të thellojë krizën e prodhimit vendas, duke shënuar tregues negativ në eksportet e prodhimeve ushqimore. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit gusht 2024, eksportet e mallrave arritën në vlerën e 22 miliardë lekëve, apo rreth 220 milionë eurove, duke pësuar një ulje me minus 18 përqind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe një rënie me minus 32 përqind në krahasim me muajin korrik 2024.

Nga ana tjetër, importet e mallrave arritën në vlerën e 69 miliardë lekëve, duke pësuar një rritje me 1.9 përqind në krahasim me të njëjtin vit më parë dhe duke u ulur me minus 19.4 përqind në krahasim me muajin korrik të vitit 2024.

Sipas INSTAT, deficit tregtar i krijuar mes importeve dhe eksporteve është rreth 46 miliardë lekë, apo 460 milionë euro, duke pësuar një rritje me 15.6 përqind krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme referojnë se eksporti i ushqimeve dhe pijeve alkoolike në vlerë shënoi rënie me 8.8% në janar -gusht 2024 dhe në të njëjtën periudhe importet u rritën me 9.1%. Për 8 mujorin e këtij viti ekonomia humbi rreth 33 milionë euro të ardhura nga eksporti i ushqimeve dhe pijeve në raport me një vit më parë dhe gjithashtu ekonomia shqiptare nxori jashtë vendim më 1.4 miliardë euro për importin e ushqimeve 91 milionë më shumë se në 8 mujorin e vitit të kaluar. Rritja e importeve po kthehet në trend.

Vitin e kaluar, Shqipëria importoi 1,1 milionë tonë ushqime, ose 102 mijë tonë më shumë se në vitin 2022, me rritje vjetore 10%. Të dhënat më të detajuara tregojnë se, rritja më e madhe e importeve gjatë vitit 2023 në sasi ishte për drithërat, ndërsa këtë vit për zarzavatet.

Importet në zërat e ushqimeve, janë konfirmues i krizës që po kalon sektori i prodhimit në vend, dhe kryesisht ai bujqësor, i cili po shkon në kolaps për shkak të mungesës së tregut.