Presidenti i Iranit deklaron se Izraeli po shkatërron myslimanët sepse nuk janë të bashkuar

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka thënë se Izraeli po “shkatërron myslimanët” për shkak të mungesës së solidaritetit në të gjithë botën myslimane.

“2 deri në 3 milionë izraelitë po shkatërrojnë myslimanë, gra, fëmijë, të rinj e të moshuar. Ata bombardojnë xhamitë dhe spitalet kudo, dhe ne vetëm po shikojmë”, ka thënë Pezeshkian, raporton AP.

Ai i bëri komentet gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Unitetit Islamik në Teheran të enjten.

Irani është një mbështetës kryesor i grupeve militante anti-izraelite, Hamasit dhe Hezbollahut.

Të martën dhe të mërkurën kanë ndodhur shpërthime të pajisjeve të komunikimit të Hezbollahut në Liban dhe Siri, të cilat kanë lënë të vdekur të paktën  32 persona dhe të lënduar rreth 3,000 të tjerë.

Hezbollahu ka fajësuar Izraelin për shpërthimet, dhe është zotuar për hakmarrje.

Hezbollahu në Liban dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme ndërkufitare që kur ka nisur lufta në Gaza ndërmjet Hamasit dhe Izraelit.