EMRAT/ Apeli lë në fuqi sekuestrot e pasurive për anëtarët e grupit ‘Çopja’

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë fuqi masën e sekuestros për pasuritë e Arben Lamçes, Arjon Ormenajt, Klajdi Merkajt, Manjola Hysenajt, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis” etj.

Personat e tjerë, pasuritë e të cilëve iu është vënë masa e sekuestros, nuk kishin ushtruar të drejtën e ankimit.

Sekuestrot u vendosën pas operacionit të bërë nga Prokuroria e Posaçme më 31 korrik, ku u kërkua arrestimi i 33 personave, por që u arrestuan vetëm 11, ndërsa për dy të tjerë, u komunikua akuza në burg pasi janë arrestuar më herët për vepra të tjera penale.

Grupi në fjalë, ku bënin pjesë vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për një sërë atentatesh e vrasjesh, ndërsa ndaj tyre nisi edhe hetimi pasuror.

Franc Çopja u arrestua për llogari të Belgjikës, ndërsa Hajdar Çopja vijon të jetë në kërkim, ku ka të dhëna se ndodhet në Dubai.

Një pjesë e pasurive të organizatës kriminale të drejtuar nga Çopjajt, rezultonin në emër të Arben Lamçes, i arrestuar në Kosovë dhe i ekstraduar së fundmi në Shqipëri. Ai akuzohet për sigurim kushtesh për vrasjen e Nuredin Dumanit dhe pastrim parash.