Ndodh edhe kjo, nga i mbrojtur në publik, shfaqet dëshmitari i radhës te 'Thaçi dhe të tjerët'

Dëshmitari i 87-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Halim Berisha, për të cilin Prokuroria pati kërkuar vendosjen e masave mbrojtëse gjatë dëshmisë, me të nisur seanca ka kërkuar që të shfaqet publikisht dhe t’i largohet çdo ndryshim i zërit apo fshehja e figurës së tij.

Ndryshimi i statusit të dëshmitarit nga i mbrojtur në publik, po ndodhë për herë të parë në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, njofton Klankosova.tv.

Berisha është paraqitur sot përmes video-lidhjes, i shoqëruar nga avokati i tij Kadri Osaj, ngaqë Prokuroria fillimisht e pati intervistuar si të dyshuar, Berishën, i cili rrezikon ta implikojë veten gjatë dhënies së dëshmisë së tij.

Pas dhënies së betimit, Berisha ka treguar se është person i pensionuar tashmë, i cili më herët pati qenë zëvendësshef i sigurimit në hotelin “Swiss Diamond”.