Rritja e çmimeve të banesave ndikohet nga pastrimi i parave/ Madhi: Në 10 vitet e fundit, trefishim i kostove të sipërfaqes

Tirana cilësohet si një nga shtatë kryeqytetet kryesore evropiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së blerjes së një banese.

Një raport i Komisionit Ekonomik për Evropën në Kombet e Bashkuara që ka bërë një vlerësim të profilit të Shqipërisë në aspektin e zhvillimit urban, strehimit dhe menaxhimit të tokës nënvizon gjithashtu se rritja e çmimeve mund të jetë ndikuar ndoshta edhe nga pastrimi i parave.

Zhvillimet formale të organizuara synojnë segmente të banesave me çmime të larta. Deri në 32 për qind e pronave rezidenciale dhe komerciale të shitura në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 janë blerë nga jorezidentë, ku pastrimi i parave ka qenë një faktor kontribuues i rritjes së çmimeve në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

Doris Madhi eksperte ekonomie, e ftuar ditën e sotme tek ‘Kafe Shqeto’ u shpreh se fatkeqësisht pjesa më e madhe e shqiptarëve me të ardhurat që disponojnë ende nuk mund t’i lejojnë vetes që të blejnë një shtëpi në kryeqytet.

‘Sigurisht që pjesa më e madhe e shqiptarëve vazhdon ende dhe jeton si ‘në kohën e Enverit’ dhe në ditët e sotme kjo është një dramë shumë e madhe'-u shpreh Madhi.

Doris Madhi:

"Në fakt kjo është ajo diferenca që bëhet ndërmjet asaj që mund t’i lejosh vetes dhe asaj që ke dëshirë të kesh në të ardhmen.

Është një problem shumë kompleks sepses sa i përket ndërtimeve bazohen jo vetëm në standarte të reja, por edhe tek të ardhurat që janë goxha të pakta krahasuar me ato që shqiptarët mund t’i lejojnë vetes.

Sigurisht që pjesa më e madhe e shqiptarëve vazhdon ende dhe jeton ashtu siç e përkufizove edhe ti si ‘në kohën e Enverit’, por në fakt edhe në ditët e sotme kjo nuk është një dramë e madhe për aq kohë sa ka një përllogaritje i cili përcakton që metrat katrorë për mirëqënien e një individi duhet të jenë 14m/2.

Pas anëtarit të 4 të familjes duhet thënë që m2/familje duhet të jenë 10.

Pra e parë në këtë këndvështim nuk jemi dhe aq zi, por e parë krahasimisht me atë që ne shohim sot sa i përket pallateve gati të ekzagjeruara, sigurisht që ka një diferencë shumë të madhe.

Klea Sula/ Syri.Net