EMRI/ I armatosur në 'Audin' e blinduar, identifikohet 30-vjeçari

Një person i armatosur është arrestuar në Tiranë nga Komisariati i Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Në kuadër të operacionit të koduar "Befasia" u arrestua në flagrancë shtetasi Klaudjo Lamaj, 30 vjeç, banues në Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me ato të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ditën e djeshme kanë siguruar informacion nga inteligjenca informative se me një automjet tip “Audi” të blinduar, me targa gjermane, qarkullonte një shtetas dyshohet i armatosur.

Bazuar në këto informacione është organizuar puna për kapjen e tij dhe është finalizuar operacioni policor i koduar “Befasia”.

Në rrugën “Bajram Curri” shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin Klaudjo Lamaj, të cilit gjatë kontrollit fizik i gjetën një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale se bashku me automjetin dhe një aparat celular”, bëri me dije policia.