Data, vendi, ora/ Bardhok Doda njofton çeljen e degës së PD në Forli - Emilia-Romagna në Itali

Partia Demokratike ka ndezur motorrët edhe në diasporë. Kreu i Partisë Demokratik të Romës, njëherësh dhe kordinator i ‘Forza Italia’, Bardhok Doda, ka njoftuar çeljen e degëve të reja të PD në Itali.
 
Në një njoftim për media Kryesia dhe kreu i PD, Doda, bëjnë me dije se më datë 21 shtator 2024 do të çelet dega e Partisë Demokratike në komunën Forli - Emilia-Romagna (Bolonja).
 
Për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në këtë rajon njoftohet se takimi do të zhvillohet në Via Carlo Seganti Nr. 54-47121 Forlì Emilia-Romagna Italia, në orën 17,00.
 
Pjesë e hapjes së degës së PD në këtë komunë do të jenë edhe përfaqësues të partisë simotër me PD, Forza Italia, ku do të jetë e ftuar deputetja e kësaj partie, Rosaria Tassinari.
 
Gjithashtu në takim do të jetë e pranishme edhe deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
 
"Dega e re e PD në Itali do t’u mundësojë shqiptarëve të Diasporës më shumë akses mbi politik-bërjen në Shqipëri dhe ndikimin që emigrantët që punojnë e jetojnë jashtë vendit, kanë në vendimarrjen politike. 
 
Falë ndryshimeve ligjore në Kodin Zgjedhor, me iniciativën dhe këmbënguljen e PD, tashmë emigrantëve shqiptarë do t’u njihet e drejta për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.",- thuhet në njoftimin për medit.