SYRI TV/ Skandali Onkologjikut, Apeli GJKKO lehtëson masat

SYRI TV

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lehtësuar masat për mjekët e Spitalit Onkologjik dhe për persona të tjerë të përfshirë në skandalin, që doli pas një hetimi të prokurorisë së Tiranës. Masat ishin apeluar nga mjekët dhe përveç mjekut Edmond Gashi, të cilit i ka lënë në fuqi masën ‘Arrest shtëpie’, për të tjerët apeli i ka lehtësuar masat. Vendimi i Gjykatës në këtë mënyrën rrëzoi kërkesën e prokurorisë për vijimin e masave ndaj mjekëve. Mjekët e spitalit onkologjikut akuzohen për disa vepra penale ‘Shpërdorim Detyre’, ‘Kontrabandë ilaçesh’ dhe ‘Korrupsion’.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar pjesërisht masat e sigurisë për mjekët e akuzuar, lidhur me skandalin në Spitalin Onkologjik. Gjyqtari Florjan Kalaja vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit në shtëpi për mjekun Edmond Gashi. Për farmacistin Florjan Marku e ndryshoi nga ‘arrest në shtëpi’ në ‘detyrim për t’u paraqitur’ në policinë gjyqësore. Për babain e mjekut Edmond Gashi, Halil Gashin, administrator i klinikës private ‘Megis’ ku adresoheshin pacientët, Apeli i GJKKO hoqi masën e detyrimit të paraqitjes.

Gjithashtu masa e sigurisë detyrim paraqitje u shfuqizua edhe për ish-nëndrejtoreshën e QSUT, Brikena Qirjazi. Në seancën e shkuar ku u shqyrtua kërkesa e mbrojtjes për ndryshimin e masës, prokuroria ishte për vijimin e masave të vendosura nga Shkalla e Parë. Ndërkohë çështja e skandalit të Onkologjikut do të shkojë për interpretim edhe në Gjykatën e Lartë. Gjyqtari Kalaja vendosi parashtrimin e mungesës së kompetencës lëndore të GJKKO-së sa i përket procedimit penal me objekt administrimin e burimit të “Kobaltit” me persona nën hetim ish-nëndrejtoreshën e QSUT, Brikena Qirjazi dhe ish-specialisten Drilona Kishta.

Kjo ka të bëjë me vlerësimin që duhet të bëjë Gjykata e Lartë nëse vepra penale e dyshuar që është kryer nga personat e mësipërm është ose jo kompetencë e Strukturës së Posaçme. Hetimi për mjekët e Spitalit Onkologjik u krye nga Prokuroria e Tiranës. Pas disa muajsh hetime, prokuroria dërgoi për masë sigurie mjekët dhe më pas shpalli moskompetencën, duke ia kaluar çështjen SPAK-ut. Mjekët e spitalit Onkologjik akuzohen për ‘Shpërdorim Detyre’, ‘Kontrabandë ilaçesh’ dhe ‘Korrupsion’.