SYRI TV/ Gabim në llogaritje, 15 mln € shtesë kosto e rrugëve, ARRSH dhe FSHZH modifikojnë 18 kontrata

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit kanë modifikuar në 6 muajt e fundit rreth 18 kontrata, duke shtuar me 15 milionë euro kostot e ndërtimit të punimeve infrastruktorore.

 

Këto kontrata janë nënshkruar fillimisht në periudhën 2022-2023, për një vlerë fillestare prej 9.6 miliardë lekë të reja ose rreth 95 milionë euro.

Ndërkohë, pas modifikimit të kontratave, vlera ka arritur në 11.1 miliardë lekë të reja ose rreth 110 milionë euro.

“Syri Televizion” ka përpunuar të dhënat e publikuara në Buletinët e Agjencisë së Prokurimit Publik me objekt ndryshimin e kontratave gjatë zbatimit të tyre përgjatë këtij viti.

Rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka modifikuar 3 kontrata. Vlera fillestare e tyre ishte 5.34 miliardë lekë të reja. Në periudhën gusht-shtator 2024, ARRSH ka vendosur të shtojë rreth 730 milionë lekë të reja, duke e çuar vlerën e këtyre investimeve në mbi 6 miliardë lekë të reja ose rreth 60 milionë euro.

Nga ana tjetër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka modifikuar 15 kontrata në investime publike. Vlera fillestare e këtyre tenderave ishte 4.2 miliardë lekë të reja ose mbi 40 milionë euro.

Me shtesat e kryera gjatë muajve të fundit, në shumën 850 milionë lekë të reja, vlera përfundimtare e këtyre kontratava ka arritur në shifrën e mbi 5.1 miliardë lekë të reja ose rreth 50 milionë euro.

Në thuajse të gjithë rastet, arsyet e modifikimit të kontratave kanë pasur si justifikim përllogaritet e gabuara, ndryshimet e projektit me situatën në terren apo situata të paparashikuara.

Kjo praktikë e përhapur gjerësisht për modifikimin e kontratave dhe shtesën e kostove në miliona euro krijon dyshimet mbi projekte abuzive.

Opozita ka ngritur gjithnjë shqetësimin se institucionet qeveritare aplikojnë kosto të fryra për ndërtimin e veprave infrastrukturore, kryesisht atë rrugore.

Edhe ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se kostot e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri janë shumë më të larta, krahasuar me vendet e rajonit, por edhe të Bashkimit Europian.