Berisha: Prokuroria private e Ramës fsheh të vërtetën se procesi i privatizimit të Klubit Partizani u iniciua nga qeveria e Nanos

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference me gazetarët është shprehur se, prokuroria private e Edi Ramës fsheh të vërtetën për privatizimin e klubit Partizani.

Sipas Berishës, ky proces është iniciuar nga qeveria e Fatos Nanos.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm dhe atyre që na ndjekin.

E vërteta e privatizimit te Klubit Partizani.

Zonje dhe zotërinj!

Një shtyllë tjetër mbi të cilën ka ngritur piramidën e mashtrimit prokuroria politike private e Edi Ramës ndaj Sali Berishës është shpifja sipas të cilës Sali Berisha privatizoi Klubin Partizani për të pasuruar dhëndrin e tij.

Në këtë kuadër për të servirur si të vërtetë shpifjen e tyre, Dumani i pyetjes 1 milion euro, Kraja ish-xhelati i policisë sekrete të Enver Hoxhës, Millonai që për të mbrojtur si motër biologjike Tualantin me pesë mbiemra, konfiskon dosjet e padive kundër tij duke manipuluar, falsifikuar dhe rrëzuar aktet dhe ligjet zyrtare dhe shkruajnë se: “Privatizimi i Klubit Partizani, duket se ka gjetur diskutim dhe mbështetje, që në mesin e vitit 2005, kur evidentohet korrespondencë e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, mbështetur edhe në kërkesat e shoqërisë Partizani sh.a., por kjo procedurë ka mbetur në fazat fillestare”.

Dhe për ta lidhur me nënkuptim këtë procedurë me Sali Berishën si autor i saj, ata vazhdojnë po aty: “Në vitin 2005, pasi shtetasi Sali Berisha zgjidhet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë….’.

Në këtë paraqitje, për të justifikuar krimin e tyre, prokurorët politikë fshehin dy të vërteta të një rëndësie kapitale për këtë çështje.

Së pari, ata fshehin dhe nuk tregojnë aty emrat e titullarëve të Ministrive të Kulturës, Ekonomisë, Mbrojtjes, që bazuar në kërkesën e një subjekti që nuk ishte pronar i Klubit Partizani, firmosën shkresat dhe de juro dhe de facto nisen procesin e privatizimit, por këta mercenarë për të krijuar përshtypjen se këtë proces e ka nisur Sali Berisha, vazhdojne po aty me: “Në vitin 2005 erdhi në pushtet shtetasi Sali Berisha…”, pra duan të bëjnë sadopak të besueshem shpifjen e tyre duke lënë të nënkuptohet se procesin e privatizimit e nisi Sali Berisha.

Kështu ata rreken të fshehin të vërtetën se nga mesi i vitit 2005, procesi i privatizimit të Klubit Partizani u iniciua me shkresa zyrtare nga ministrat Angjeli, Klosi Majko të qeverisë Nano dhe jo nga ministrat e qeverisë së PD.