12 viktima nga shpërthimet e pajisjeve të komunikimit/ Erdogan: Përpjekjet për përhapjen e konfliktit nga Izraeli, të rrezikshme

Numri i të vdekurve nga shpërthimi i pajisjeve të komunikimit në Liban është rritur në 12, në mesin e të cilëve dhe dy fëmijë, tha të mërkurën ministri libanez i shëndetësisë Firass Abiad.

Rreth 3000 njerëz, përfshirë civilë, raportohet se janë plagosur nga vala e shpërthimeve që goditën dje Libanin. Ndërkohë që nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë, sulmi, i cili duket se kishte për qëllim kryesisht operativët e Hezbollahut, i është atribuar gjerësisht Izraelit.

Ministri i Informacionit i Libanit Ziad Makary ka thënë se vendi po përgatitet të bëjë një ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për incidentin, të cilin ai e quajti "një sulm flagrant ndaj sovranitetit libanez, që synonte civilët, jo vetëm anëtarët e Hezbollahut".

Libani ka marrë ndihmë mjekësore sot nga Irani, Iraku dhe Jordania dhe presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi tha se vendi i tij kundërshton çdo përpjekje për përshkallëzim në rajon, duke ofruar mbështetje për Libanin.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i ka përcjellë kryeministrit libanez Najib Mikati trishtimin e tij për shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve të komunikimi përmes një telefonate zyrtare mes tyre. Agjencia e lajmeve Anadolu raportoi se Erdogan i tha Mikatit se përpjekjet e Izraelit për të përhapur konfliktet në Gaza në rajonin më të gjerë, ishin të rrezikshme dhe se përpjekjet për të ndaluar Izraelin do të vazhdonin.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se sulmi ishte projektuar “qëllimisht” për të “provokuar një luftë të madhe në Lindjen e Mesme”, dhe zëdhënësja Maria Zakharova e përshkroi atë si “një akt tjetër të luftës hibride kundër Libanit që ka dëmtuar mijëra njerëz të pafajshëm” , duke kërkuar edhe  një hetim për ngjarjen.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit , Nasser Kanaani e përshkroi atë si "operacion terrorist ... [që] bie ndesh me të gjitha parimet morale dhe njerëzore, ligjin ndërkombëtar, veçanërisht ligjin ndërkombëtar humanitar, ndërsa garanton ndjekje penale ndërkombëtare, gjyq dhe dënim"./ The Guardian.