Opozita konteston kandidimin e Besnik Dervishit për mandatin e tretë

Besnik Dervishi është kandidati i vetëm në garë për një mandat të tretë si Komisioner për të Drejtën e Informimit, por gjatë dëgjesës në Kuvend ai u përball me kundërshti dhe akuza për konflikt interesi nga deputetët e opozitës.

BIRN

Anëtarët e opozitës kundërshtuan kandidimin e Besnik Dervishit për një mandat të tretë si Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i propozuar nga Këshilli i Ministrave.

Gjatë një dëgjese të zhvilluar të martën në Komisionin e Ligjeve, Dervishi u përball me akuza për konflikt interesi dhe për moskompetencë në realizimin e detyrës së tij në dy mandatet e para nga deputetët e opozitës.

Deputetja Dhurata Çupi ngriti akuza se Dervishi, në konflikt të hapur interesi ka vendosur të përzgjedhë një kompani me aksionerë të afërm të tij, si organ certifikues për bizneset dhe institucionet që përpunojnë të dhëna personale.

Sipas Çupit, bëhet fjalë për kompaninë Legal Cert, ku njëri nga ortakët është nipi i Dervishit dhe punon dhe si analist në Kryeministri.

“Referuar faqes ueb të institucionit, duket qartë se kjo kompani është e vetmja e akredituar nga institucioni, duke krijuar një treg monopol në këtë sektor,” tha Çupi, duke shtuar se kjo lidhje krijonte hapësira që bizneset e kontrolluara të shmangnin sanksionet e mundshme nga institucioni.

Ajo e pyeti komisionerin Dervishi se pse kishte përzgjedhur këtë kompani si të vetmen kompani me dy autorizime për certifikimin e Sistemeve të Menaxhimit të Sigurisë së Informacionit (SMSI) për mbrojtjen e të dhënave personale.

Në përgjigje, Dervishi tha se nuk ishte i suprizuar nga sulmet pasi puna e tij prodhonte kosto dhe i cilësoi “të ulëta” akuzat e Çupit.

“Rasti konkret janë marrë më pak se çerek të vërteta dhe përpiqen të trajtojnë sikur çfarë ka ndodhur,” tha ai, duke shtuar se “zyra e komisionerit nuk certifikon subjekte”.

“Ne promovojmë në faqen e komisionerit organizmat çertifikues që janë korrekt me ligjin,” tha ai duke iu referuar rastit të kompanisë së autorizuar, duke pretenduar se kompanitë e tjera nuk e kishin marrë këtë autorizim “pasi përpiqen të anashkalojë ligjin”.

Çupi gjithashtu ngriti akuza për emërime nepotike të Dervishit në institucion dhe pikëpyetje mbi përfshirjen e tij në biznese private si kompania Drymades Dream sh.p.k në konflikt interesi me detyrën publike.

Por Dervishi i hodhi poshtë këto akuza.

“Ligji nuk të ndalon të jesh aksioner dhe kjo vlen si për mua, si për nipin tim, por ligji të ndalon të luash role drejtuese dhe unë nuk kam luajtur role drejtuese, aq më tepër që kjo i përket një periudhe ndoshta dhe më përpara se viti 2017, që unë nuk e mbaj mend,” tha ai.

Ndërkohë, deputetët socialistë kërkuar që seanca dëgjimore të mos kthehej në seancë hetimore ndaj kandidatit.

Pandeli Majko i kërkoi Çupit që denoncimet e saj t’i dorëzojë në strukturat përgjegjëse. Por deputetët e opozitës vijuan me kritika për punën e Dervishit në krye të institucionit.

Oerd Bylykbashi e pyeti komisionerin se çfarë masash ndëshkuese ka marrë dhe çfarë instrumentash ka kërkuar për të bllokuar abuzimet me të dhënat personale në atë që e cilësoi si sistemi i patronazhimit për qëllime elektorale nga Partia Socialiste.

Komisioneri e cilësoi rastin si një rrjedhje të të dhënave personale dhe tha se zyra e drejtuar prej tij e ka hetuar çështjen dhe konstatimet i ka vënë në dispozicion të organeve hetimore për të vijuar më tej.

Besnik Dervishi është kandidati i vetëm në garë për të drejtuar zyrën e komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ai ka qenë drejtues i këtij institucioni që prej krijimit të tij në vitin 2014.